Finalizohet me sukses një tjetër operacion antidrogë i koduar “Ura e Muhurrit”, sekuestrohen 20 kg kanabis sativa, arrestohen në flagrancë dy shtetas si dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas po transportonin me një automjet lëndë narkotike në aksin rural Zall-Dardhë – Muhurr, menjëherë blutë e Dibrës kanë organizuar punën për goditjen e këtij rasti.
Si rezultat i ndërhyrjes së befasishme të policisë në vendin e quajtur “Ura e Muhurrit”, është bërë ndalimi i automjetit “Suzuki”, me targa AA 084 FS me drejtues shtetasin Asllan Cani.
Gjatë kontrollit në pjesën e bagazhit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 thasë me lëndë narkotike me peshë totale 20 kilogramë cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Asllan Cani, 47 vjeç, banues në Tiranë. Vepra penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283 e 25 të Kodit Penal.
Ervin L, 22 vjeç, banues në Tiranë. Vepra penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283 e 25 të Kodit Penal.
U shpall në kërkim policor shtetasi :
R.C, 29 vjeç, banues në Tiranë. Veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, parashikuar nga nenet 283, 25 dhe 242 të Kodit Penal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy aparate celular dhe automjeti me të cilnin lëviznin.
Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme për veprat penale të lartëpërmendura.





