Dy persona u arrestuan, mes të cilëve një punonjës i Forcave Detare, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim nga blutë e Durrësit, pasi u kapën në flagrancë me 10 kg kanabis sativa, një armë zjarri dhe disa fishekë.
Arjan Tabaku 49 vjeç, banues në Krujë dhe Romin Davidhi 28 vjeç, banues në Durrës, punonjës në Komandën e Forcave Detare, u arrestuan në kuadër të operacionit “Fast”, i finalizuar me sukses në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 14.06.2016, në lagjen Nr. 13, Plazh, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Fiat”, me targa AA 799 LB , me drejtues shtetasin Arjan Tabaku, u gjetën dhe u sekuestruan:
- rreth 10 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa;
- një trup pistolete bashkë me tytën;
- fishekë të kalibrit 7.62 mm;
- mjeti tip Fiat me targa AA 799 LB;
- mjeti tip Fiat me targa AA 078 GP;
- katër aparate telefoni celularë.
Policia bën të ditur se është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit E.K. 25 vjeç, banues në Durrës.





