Një operacion i befasishëm i policisë është zhvilluar gjatë mesditës së sotme në Elbasan, duke çuar në arrestimin e të paktën 2 personave të njohur si pjesë e botës së krimit.

Burime bëjnë me dije se operacioni është zhvilluar rreth orës 15:30 në një prej lokaleve të njohura përgjatë aksit rrugor Elbasan-Ish-Metalurgjia, në fshatin Katund i Ri.

Informacionet e marra në rrugë operative çuan në ndërhyrjen e menjëhershme të forcave speciale, të cilat kanë neutralizuar dhe arrestuar disa persona të dyshuar.

Forcat e rendit, te mbështetura nga forca te tjera policore, fillimisht rrethuan të gjithë zonën përreth lokalit, përpara se të ndërhynin brenda në ambientet e restorantit ku dyshohej se ndodheshin eksponentët kriminalë.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi identitetin e të arrestuarve apo akuzat konkrete ndaj tyre, ndërsa pritet që në orët në vijim Policia e Shtetit të dalë me një njoftim zyrtar.