Policia e Tiranës ka ndërmarrë një operacion antidroge, ndërsa mësohet se ka vënë pas hekurave rreth 20 persona. Po ashtu raportohet se në total janë mbi 30 masa arresti për persona të dyshuar në shpërndarjen e lëndëve narkotike në kryeqytet.
Sakaq, të arrestuarit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe lokaleve të natës. Operacioni u zhvillua nga sektori kundër narkotikëve në Policinë e Tiranës.
Nga ky aksion mësohet se janë sekuestruar lëndë narkotike kokainë, vlera monetare etj, por ende nuk dihen detaje nga operacioni.
Sakaq, në orën 09:00, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, drejtori Tonin Vocaj do të dalë sot në një konferencë për mediat për të dhënë detaje mbi aksionin në fjalë.