Një prej 5 personave të arrestuar për kapjen e një sasie rekord kokaine në Livorno të Italisë, u kap në Shqipëri. Në një informacion për mediat, Policia e Shtetit thotë se 31-vjeçari Dorian Petoku u arrestua në Tiranë, për llogari të drejtësisë italiane.

“Operacioni ndërkombëtar i koduar “Brasile Low Cost”, mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane, ndalohet i kërkuar i drejtësisë italiane. Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit në kohë reale të informacioneve, mes Strukturave operacionale tē Departamentit tē Policisë Kriminale, Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme me Repartin e II-të të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza u lokalizua dhe arrestua në Tiranë një 31 vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë”.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, dhe Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit pas informacioneve të marra në rrugë operative, kapën dhe arrestuan përkohësisht shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, D.P. 31 vjeç, nga Tirana.

Gjykata e Romës, Itali ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Policia e Shtetit thotë se është tërësisht e angazhuar në bashkëpunimin të ngushtë me partnerët për të goditur dhe çuar para drejtësisë personat që ushtrojnë veprimtari kriminale brenda apo jashtë vendit.