SPAK dhe Prokuroria e Pordenones kanë kryer në Shqipëri një operacion të përbashkët ku në shënjestër kanë qenë mashtrimet e call center. Prokurori i SPAK që ka hetuar këtë rast, Ened Nakuçi, tha se si pjesë e operacionit janë nxjerrë 14 masa sigurie.
“Janë anëtarë, të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me mashtrimin e shitjeve online”, u shpreh prokurori Nakuçi.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, tha se janë ekzekutuar 5 masa sigurie ‘arrest me burg’, 4 masa ‘arrest në shtëpi’, ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim. Vocaj tha se në aksion janë përfshirë policia e Tiranës dhe e Fierit. Në total janë kontrolluar 12 banesa, ku janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike, telefona, laptopë, USB dhe pajisje për prodhimin e Bitcoin-eve etj.
Aksioni i quajtur “Dream Earning” është vijim i një operacioni të mëparshëm të kryer më 25 Tetor të vitit të kaluar.
SPAK tha se pajisjet elektronike që u sekuestruan në këtë call center janë analizuar dhe arrestimet vijnë si rezultat i këtij hetimi. Nga ana e SPAK janë administruar 140 kallëzime nga personat e dëmtuar në Itali. Shuma e parave të personave të dëmtuar shkon në 4 milionë e 700 mijë Euro.
Hetimet kanë filluar pas një denoncimi në policinë e Pordenones. Skema e mashtrimit ishte komplekse.
Prokurori Nakuçi tha se viktimat kontaktoheshin me telefon, më pas ata bindeshin që të investonin në shuma të vogla parash. Mashtruesit i bindnin që nuk do të humbin asgjë. Për ta bërë më të besueshëm mashtrimin ata u tregonin viktimave trefishim të investimit të tyre në pak ditë nëpërmjet aplikacioneve të falsifikuara.
“Mashtruesit ishin të aftë në përdorimin e teknikave reale bindëse, duke bërë që qytetarët të investonin qindra mijëra Euro. Për çdo transferim që kryhej rezultonte dhënia e një sasie Bitcoin në portofole të panjohura duke humbur gjurmët e parave që investoheshin”, u shpreh Nakuçi.
Nivelet e personave të përfshirë në këtë skemë ishin të ndara. Në fillim ishin operatorët që merrnin kontaktet e para. Më pas konsulentët ndiqnin hap pas hapi viktimat për të përfituar para nëpërmjet mashtrimit.
“Masat janë të nxjerra nga analizat e provave të marra nga përgjimet”, u shpreh Nakuçi.
Në këtë grup kriminal disa persona kanë pasur rol deciziv dhe kanë qenë drejtues taktik të call center, drejtues të operatorëve, IT ose konsulentë të shitjeve. Hetimet po vijojnë për të zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në mashtrim.
Sipas prokurorit, skema ishte e qartë, në krye ishte një drejtues që merrte përqindje për investimet dhe bonus për mashtrimet. Ndërsa për operatorët që nuk mbyllnin kontrata ishin parashikuar sanksione dhe detyrime.
Më herët, media italiane, ANSA, raportoi se Prokuroria e Pordenones ka kryer të paktën 42 mijë përgjime. Grupi kriminal i pastronte paratë në vendet e BE-së si Qipro Lituania, Estonia, Holanda dhe Gjermania./