Tendenca për t’iu ngjasuar yjeve të Hollivudit ka bërë që shumë të rinj t’u nënshtrohen ndërhyrjeve estetike. Revistat dhe gazetat janë të mbushura me imazhe që tregojnë forma të përkryera modelesh. Shumë të rinj që duan t’i ngjajnë Brad Pitt apo Angeline Zholie drejtohen në dyert e klinikave estetike për të rregulluar një tipar të fytyrës apo për të bërë ndryshime në pjesë të ndryshme të trupit. Rregullimi i formës së hundës, veshëve, eliminimi i rrudhave në mollëza apo heqja e dhjamit të tepërt ka çuar shumë të rinj në dyert e klinikave private. Kompleksi i pasqyrës që kanë pjesa më e madhe e femrave, ka filluar të prekë edhe meshkujt. Silvana Vishaj, kirurge plastike faciale thotë se në ndryshim nga vite më parë, meshkujt kanë nisur të interesohen për mrekullitë që po kryen mjekësia e plastikës.
“Në 5-vjeçarin e fundit pacientët meshkuj po konkurrojnë me femrat për të kryer ndërhyrje plastike. Është bërë një trend i përgjithshëm ku meshkujt rreth të tridhjetave vijnë të bëjnë ndërhyrje dhe madje e pohojnë që kanë kryer një të tillë.” Meshkujt shpesh dëshirojnë një hundë më të balancuar, të drejtë, në përshtatje me fytyrën, si dhe veshë shumë të drejtë, të afruara me kokën, apo edhe një mjekër të konturuar dhe të dukshme si edhe një bark të sheshtë dhe pa dhjamë. Këto janë kërkesat më të shumta që u drejtohen kirurgëve plastikë. “Jetojmë në një shoqëri ku kërkimi i një imazhi mashkullor më të mirë është i rëndësishëm në biznesin, profesionin, karrierën dhe marrëdhëniet shoqërore dhe sentimentale.
Sot meshkujt e të gjitha moshave dhe nga të gjitha sferat e jetës janë duke kërkuar ndihmën e kirurgjisë plastike për të qëndruar konkurrues në botën e biznesit, artit dhe politikës.” Një fytyrë e dhjamosur ose një fytyrë shumë e trashë me zona dhjami nën mjekër është gjithashtu një shqetësim për shumë burra. “Ka pacientë meshkuj që kërkojnë një pamje të plotë për të korrigjuar dhe për të hequr zonën e qafës. Kjo ka të bëjë me heqjen e lëkurës së tepërt dhe forcimin e muskujve. Kjo teknikë quhet liftingu i qafës dhe kërkon medoemos ndërhyrje kirurgjikale.” Një ndërhyrje që shpesh përdoret tek pacientët meshkuj është tërheqja e rrudhave të lëkurës së fytyrës.
Tek meshkujt në moshë kërkohet eliminimi i dhjamit të tepërt në pjesën e barkut. “Ndërhyrja lifting në fytyrën e mashkullit e bën atë të duket 15-20 vite më i ri nga ç’është. Në moshat e mëdha ndërhyjmë kur indi dhjamor akumulohet me kalimin e moshës dhe peshës apo për shkak të abuzimit me ushqimin dhe alkoolin. Kështu që janë të detyruar të kërkojnë ndërhyrje për eliminimin e barkut, plastikën e dhjamit apo ndërhyrje të tjera. Për moshat e reja bëhen injeksionet e botoksit për eliminimin e rrudhave në zonën e ballit dhe të syve. Bëhen po ashtu edhe injeksionet mbushëse (filler) me anë të cilave mbushen rrudhat në faqe, mjekër, buzë etj.”
Të gjithë pacientët që drejtohen tek kirurgu plastik për të kryer një ndërhyrje kanë një model të cilit i referohen. Kjo gjë rezulton shumë e gabuar nga ana e mjekëve estetistë, pasi forma e re e ndërhyrjes kirurgjikale duhet të jetë në harmoni me pjesën e tipareve të tjera të fytyrës. Një hundë si e Brad Pitt nuk mund të jetë idealja për çdo mashkull. Modeli më i mirë është ai që përshtatet me përmasat dhe format e tjerave të fytyrës, jo imazhi i fotografisë me të cilin shumë klientë duan të ngjasojnë. “Në këtë procedurë është shumë e rëndësishme fotografimi i zonës ku do të kryhet ndërhyrja për të diskutuar mundësitë e trajnimit dhe dëshirat e klientëve.
Pas një vlerësimi të plotë, kirurgu shpjegon se cila procedurë kirurgjikale është më e përshtatshme për pacientin. Mjeku do të vlerësojë të gjithë regjionin tuaj kokë-fytyrë-qafë. Linjat e qepjeve planifikohen me kujdes ne ato nivele ku janë sa më pak të dukshme. Anestezia e kryer gjatë këtyre ndërhyrjeve mund të jetë një anestezi lokale dhe me qetësues ose një anestezi e përgjithshme.
Ndërhyrje kirurgjikale pa provuar tehun e bisturisë? Plotësisht e realizueshme edhe në Shqipëri. Mjafton që pacientët të zgjedhin në bazë të nevojës dhe kushteve personale. Silvana Vishaj, mjeke e kirurgjisë plastike thotë se teknika me rreze lazer, është teknika më e fundit për eliminimin e defekteve në fytyrë apo në trup. “Lazeri fraksional, apo rinimi i lëkurës nëpërmjet eliminimit të indit të tepërt dhjamor është teknika më e fundit e futur si mjet në ndërhyrjet estetike. Trajnimi i linjave të rrudhave në të dy anët e faqeve, mbi buzë, ballë apo në këndet e syve janë plotësisht të realizueshme me aparaturën më të re të futur në teknologjinë e ndërhyrjeve plastike.”
Teknika zgjat 30-45 minuta. Ajo bart edhe kosto, e cila është në varësi të sasisë së ndërhyrjeve që bëhen tek pacienti. “Kostot asnjëherë nuk janë fikse dhe standarde. Numri i injeksioneve nuk është njësoj si tek një pacient ne një tjetër. Kostoja është në varësi të gradës së defektit. Por duhet thënë që janë të paktë ata që mund të përballojnë një mirëqenie estetike të fytyrës apo trupit të tyre, ndaj pjesa më e madhe e tyre janë njerëz që kanë një gjendje ekonomike mbi mesataren.” Efektet anësore te ndërhyrjet kirurgjikale janë ënjtjet apo dhembjet e vogla të cilat mund të zgjasin disa ditë. Në ndërhyrjet me rreze lazer, efektet janë më pak traumatike.
Mjekja estetiste Vishaj tha se ndërhyrjet me rreze lazer kërkojnë një kohë më të shkurtër. “Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, pacienti i duhet të paktën një javë të ndërpresë marrëdhëniet në punë. Ndërsa me ndërhyrjet me rreze, pacienti e merr veten në një kohë më të shkurtër.”
Operacioni i hundës, më i kërkuari
Ndërhyrja kirurgjikale më e kërkuar është ajo e rregullimit të hundës. Operacioni rhinoplastika apo operacioni në hundë, është nga ndërhyrjet më të zakonshme. “Kjo përbën një procedurë mjekësore që riformëson hundën për qëllime kozmetike ose rindërtuese. Gjatë rhinoplastikës nuk është e mundur të reduktohet madhësia e hundës, të zgjatet dhe as të ndryshohet largësia nga buza e sipërme në atë të poshtme.” Shumë prej pacientëve që realizojnë rhinoplastikë kthehen në jetën normale brenda muajit. Megjithatë duhen disa javë për të parë rezultatet e ndërhyrjes, të cilat janë tepër të dukshme. Operacioni i hundës zhvillohet pasi të jenë maturuar tiparet e njeriut. Personat që kryejnë një ndërhyrje në hundë janë të detyruar të qëndrojnë një ditë-natë në spital. Për gati një javë duhet të qëndrojnë në shtëpi, me qëllim që të mos marrin asnjë infeksion.
Operacioni plastik i veshëve është një ndërhyrje shumë e kërkuar si nga femrat, ashtu edhe nga meshkujt. Mjekja kirurge Vishaj thotë se kirurgjia plastike e veshëve është një teknikë kirurgjikale që realizon korrigjimin e veshëve të deformuar. Kjo ndërhyrje përfshin të gjitha llojet e defekteve estetike në vesh. “Rezultati është shumë i kënaqshëm. Pacienti pas ndërhyrjes rezulton me veshë të drejtë, më të vegjël dhe të afruar me kokën. Kirurgjia plastike e veshit zakonisht zgjat rreth dy orë dhe kryhet si një procedurë ambulatore me stad shërimi një javë. Pas një jave pacienti është tërësisht i shëruar. Rezultati është i dukshëm menjëherë pas ndërhyrjes.”
Buzë të fryra dhe me model
Tashmë është bërë e modës fryrja e buzëve me injeksion. Silvana Vishaj, kirurge plastike pohon që ka një pjesë të mirë të Vip-ave në Shqipëri, si femra apo meshkuj që kanë kryer ndërhyrje të buzëve apo të pjesëve të tjera në fytyrë apo ndërhyrje kirurgjikale në trup. Vishaj thekson se zmadhimi i buzëve është një ndër ndërhyrjet më të zakonshme që kryhen në klinikë. “Fryrja e buzëve duke i zmadhuar apo rimodeluar është kërkesa më e zakonshme. Mënyrat janë të shumta dhe mund të shkojnë që nga injektimi i fijeve kolagjene në ndërfutjen e sintezave të tilla si goretex. Injeksionet që përdoren për zmadhimin dhe rimodelimin e buzëve janë përbërës natyrorë, të ngjashëm me përbërësit që ndodhen në trupin tonë.
Buzët duhet të jenë të zmadhuara në përshtatje me fytyrën, mollëzat dhe mjekrën. Pra të jenë në harmoni të plotë me tiparet e tjera të fytyrës.” Vishaj thotë që ka edhe kërkesa për reduktimin e volumit të buzëve. Në këtë rast gjatë operacionit hiqet një pjesë e vogël e mukozës dhe muskulit në pjesën e brendshme të buzës.