Sali Berisha gjatë fjalës së tij në seancën plenare këtë të enjte komentoi edhe operacionin antidrogë të policisë ku u arrestuan 233 persona.

Berisha i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, që të tregojë emrat e të arrestuarve.

“Dënoj me forcën më të madhe mega-mashtrimin publik. Sot Rrumbullaku në sqetullën e Ramës, u thotë shqiptarëve se në një ditë u arrestuan 200 trafikantë. I kërkoj këtu nga parlamenti të nxjerrë emrat, ose seancën tjetër do të quhet 200 herë gënjeshtar. Të nxjerrë emrat e të arrestuarve, të nxjerrë grupet se thotë 23 grupe. E kuptoni ju propagandën Rama-Balla të mashtrimit dhe mbulimit të krimit me shifra të rreme”, tha Berisha.

233 persona kanë përfunduar në pranga në operacionin antidrogë të finalizuar mëngjesin e kësaj të enjteje në vend.

Në një konferencë për shtyp, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha se fokusi i operacionit të koduar “Tempulli” ishte goditja e shpërndarjes së drogës në afërsi të shkollave, por edhe ambienteve të tjera.

Gjatë seancës së sotme, Berisha hodhi akuza ndaj Ramës dhe Ballës edhe sa i përket rastit të dhunës ndaj dy kushërinjve Maja nga anëtarët e fisit Rraja.

“Prokuroria Felaj, në një akt kriminal të pashembullt, shpalli plagosje të lehtë, çarjen e kockës frontale dhe parietale dhe thyerjen e ulnës te një qytetar nga fisi Rraja. Kjo është ndërhyrje direkt e Edi Ramës dhe Taulant Ballës dhe është një akt kriminal”, tha ai.