45 persona ranë në prangat e policisë së Elbasanit ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim, në një operacion të gjerë antidrogë.

Në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Elbasanit, Ilir Proda tha se hetimet për këtë operacion zgjatën 3 muaj. Në përfundim të tij u identifikuan 52 persona, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike, prodhim e shitje në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Në operacionin që u shtri në disa qytete të qarkut të Elbasanit (Elbasan, Cërrik, Peqin, Belsh, Librazhd, Prrenjas) si dhe në Pogradec morën pjesë 490 punonjës policie, 5 dronë, u kontrolluan me dhjetëra banesa e lokale, etj. Proda tha se gjatë operacionit, janë sekuestruar kokainë, heroinë, kanabis, armë zjarri, municione, pjesë përbërëse të armëve të zjarrit dhe shuma të mëdha parash.

10 prej personave të arrestuar, sipas kreut të policisë së Elbasanit ishin pjesë e një grupi kriminal, për pasojë është shkatërruar një grup i tërë, dhe janë goditur pjesërisht edhe 3 grupe të tjera.

Proda tha se mes të ndaluarve ka “drejtues, anëtarë të grupeve kriminale”. “Janë goditur një sërë shpërndarësish dhe drejtues të grupeve kriminale që merreshin me këtë aktivitet në Elbasan. Disa prej tyre edhe furnizues. Midis tyre ka biznesmenë, ka persona me arsim të lartë po ashtu siç ka me arsim të mesëm apo ndoshta edhe më pak”, tha drejtuesi i policisë së Elbasanit.

Mësohet se të arrestuarit janë kryesisht mbi moshën 20 vjeç deri në 65 vjeç.

DEKLARATA E PLOTË


Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Ilir Proda, së bashku me Prokurorin e Rrethit Kreshnik Ajazi, konferencë për shtyp në lidhje me megaoperacionin policor antidrogë të koduar “Rrjeti”

Jam sot këtu, së bashku me drejtuesin e Prokurorisë, për të bërë prezente rezultatet e megaoperacionit policor të koduar “Rrjeti”, në kuadër të të cilit, si rezultat i një pune hetimore tremujore, te ndjekur me metoda proaktive, u bë e mundur goditja e një rrjeti që ushtronin veprimtaritë kriminale të prodhimit, shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të armëmbajtjes pa leje.

Strukturat hetimore të Seksionit kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, si dhe ato të sektorit operacional të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të punës parandaluese, evidentuese dhe goditëse ndaj veprimtrarive kriminale, si dhe bazuar në informacionet e marra nga inteligjenca policore dhe në informacionet e marra nga qytetarët, për shpërndarje dhe shitje të lëndëve narkotike kryesisht për moshat e reja, referuan materialet e siguruara në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila regjistroi procedimin për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, për disa shtetas që ushtronin këto veprimtari kriminale.

Për një periudhë gati tremujore, strukturat hetimore, në drejtimin e drejtuesit te Prokurorisë së Elbasanit, njëkohësisht prokuror i kësaj çështjeje, kanë analizuar me detaje të gjitha informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, jo vetëm për periudhën aktuale, por për një shtrirje kohore prej disa vitesh.

Ndjekja e këtij procedimi penal u bë me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, duke administruar në vazhdimësi çdo indicie dhe provë të re që sigurohej nga hetimi, inidicie të cilat ishin objekt analizimi dhe përcaktimi detyrash për ndjekje, në takimet periodike me drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit.

Si rezultat i përkushtimit, përqendrimi maksimal në procesin e hetimit, bashkëpunimit dhe zbatimit të përpiktë të detyrave, u bë i mundur dokumentimi i përfshirjes në këto veprimtari kriminale të 52 shtetasve, të cilët dyshohet se kanë konsumuar veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në mënyrë individuale dhe në bashkëpunim me njëri tjetrin, të ndarë në disa grupe kriminale.

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, pas krijimit të dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova, ka nxjerrë 52 urdhra ndalimi, të cilat janë ekzekutuar mëngjesin e sotëm, nga strukturat policore të DVP Elbasan, me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjatë megaoperacionit të sotëm, i cili u shtri në Elbasan, Cërrrik, Peqin, Belsh, Librazhd, Përrenjas dhe Pogradec, u angazhuan 490 punonjës policie dhe 5 dronë, si dhe u kontrolluan 52 banesa dhe 18 lokale. Si rezultat i kësaj pune policore, janë ekzekutuar urdhrat e prokurorit, janë ndaluar 45 shtetas dhe 7 te tjerë janë shpallur në kërkim, konkretisht janë ndaluar shtetasit J. H., D. N., H. S., A. V., E. D., L. N., E. S., G. P., G. Sh., F. D., G. B., R. K., F. S., A. K., D. D., F. P., S. S., E. P., R. I., Sh. M., E. H., A. G., A. B., E. H., I. K., S. I., K. I., I. M., H. Gj., Xh. Gj., E. H., L. T., A. Gj., E. L., Xh. Ll., A. Ll., O. Ç., S. Ç., Xh. B., T. N., A. S., R. B., R. K., F. D. dhe M. H., si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit E. T., H. H., E. S., S. K., A. B., M. B. dhe M. K.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi, Gjykata e Elbasanit, në bazë të kërkesës së prokurorit, ka nxjerrë vendim për lejimin e kontrollit të ambienteve të banimit dhe bizneseve të ndryshme, të 28 subjekteve.

Gjatë kontrolleve në këto ambiente, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi, një armë zjarri model 56, sasi municoni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, silenciatorë, armë të ftohta, një shumë të madhe parash prej 51 milionë lekësh, 15 mijë euro, si dhe një shumë frangash zviceriane.

Nisur nga provat materiale të sekuestruara, janë arrestuar në flagrancë edhe 5 shtetas të tjerë, pjesëtarë të këtyre grupeve kriminale, konkretisht shtetasit: R. N., E. T., M. P., G. Gj. dhe F. B.

Njëkohësisht, janë proceduar në gjendje të lirë 29 shtetas, për të cilët vijon puna hetimore, me qëllim dokumentimin e veprimtarive kriminale të kryera prej tyre.

Këta shtetas, prej disa vitesh, ushtronin veprimtaritë kriminale në fushat e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe pastrimit të produkeve të veprës penale. Ata vepronin të ndarë në disa grupe kriminale dhe kishin ndarë gjithashtu edhe zonat e influencës ku e ushtronin veprimtarinë e tyre kriminale.

Gjatë analizës kriminale të shtetasve për të cilët sot u ekzekutuan urdhrat e ndalimit, si dhe të personave të shpallur në kërkim, rezulton se:

11 prej tyre kanë qenë të dënuar dhe më parë për krime të kryera në fushën e narko-trafiqeve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale.

25 prej tyre kanë qënë të skeduar në vite, nga strukturat e hetimit të krimeve, për përfshirje në veprimtari kriminale, ndërsa 27 janë skeduar vetëm gjatë këtij viti.

Vlen të theksohet fakti që 10 shtetas janë pjesë e grupeve kriminale, për shkak të mënyrës së bashkëpunimit dhe sjelljes se tyre gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat, është goditur plotësisht një grup kriminal dhe janë goditur pjesërisht 3 grupe të tjera kriminale.

Hetimi i thelluar është në vijim, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre grupeve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Gjej rastin të falënderoj sot drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit, drejtuesit dhe strukturat eprore të Policisë së Shtetit, punonjësit e Policisë të cilët inicuan dhe ndoqën këtë procedim, si dhe punonjësit e Policisë që morën pjesë në këtë operacion.

Një falënderim të veçantë kam për komunitetin e qarkut të Elbasanit, për bashkëpunimin dhe besimin e treguar, për dhënien e informacioneve të vlefshme dhe te dobishme, dhe i siguroj se besimi dhe bashkëpunimi tyre nuk do të shpërdorohet në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë. Policia e Elbasanit do të ketë gjithmonë seriozitetin dhe përkushtimin e punonjësve të saj, për të ndëshkuar pa kompromis çdo figurë krimi dhe cilindo që implikohet, i vetëm apo në formë të strukturuar, në veprimtari të ndryshme kriminale, në mënyrë që jo vetëm të ruajmë parametrat e arrirë vitin e fundit në drejtim të rendit dhe sigurisë publike, por dhe t’i përmirësojmë ato në nivelin më maksimal që na kërkohet dhe siç e meriton komuniteti i këtij qarku.

Siguroj opinionin publik, se në përmbushje të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për sundimin e ligjit në të gjithë territorin, strukturat e Policisë së Elbasanit janë të angazhuara maksimalisht për të goditur çdo paligjshmëri, me qellim krijimin e një ambienti sa më të sigurtë për qytetarët, vizitorët dhe turistët e huaj.