Tri muaj hetime me metoda speciale çuan në zbulimin e veprimtarisë kriminale të disa personave që shpërndanin drogë në zona të ndryshme të Tiranës, afër shkollave dhe lokaleve të natës.
Në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, tha se në total janë lëshuar 24 urdhërarreste.
“Në fazën e dytë të operacionit Tempulli 3, u ekzekutuan masa sigurie arrest me burg për 19 persona dhe vazhdon puna për kapjen e 5 personave të tjerë. Mes personave që gjykata vendosi arrest me burg është edhe Armando Xheladini alias Jetnor Cinellari alias Jetnor Tarushllari, i arrestuar në Maj të këtij viti për vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim për një ngjarje vrasje të ndodhur në shtetin në shtetin grek”, tha mes të tjerash Vocaj.
Gjatë operacionit në fjalë u sekuestruan 1.2 kg kokainë, qindra doza heroinë e kanabis, celularë, automjete, si dhe shuma të konsiderueshme parash që dyshohet të jenë përfituar nga shija e lëndëve narkotike.
“Ka dyshime që këta persona bashkëpunonin me njëri-tjetrin, jo të 24-ërt, por në fragmente të caktuara disa prej këtyre individvë. Janë vlerësuar masat e sigurisë nga Gjykata, por do vlerësohen edhe gjatë hetimeve, do jetë masë rënduese për ta nëse rezulton e vërtetë”, shtoi më tej Vocaj.
Deklarata e plotë e drejtorit të Policisë së Tiranë, Tonin Vocaj
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, deklaratë për shtyp për finalizimin e fazës së dytë të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli 3”.
Jam sot, këtu, së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike, dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, për të bërë prezente fazën e dytë operacionale të megaoperacionit të koduar “Tempulli 3”, ku në funksion të 2 procedimeve penale të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndjekur për një periudhë hetimore tremujore, gjatë së cilës janë aplikuar metoda speciale të hetimit, u dokumentua me prova ligjore veprimtaria kriminale e disa shtetasve që shpërndanin lëndë narkotike kanabis, heroinë dhe kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, afër shkollave, si dhe në lokale nate.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të masave të përcaktuara në paketën e sigurisë në shkolla dhe të prioritetit të Policisë së Shtetit, për të garantuar një mjedis sa më të sigurtë për nxënësit dhe për të parandaluar fenomenet negative në vijimësi, ka zhvilluar kontrolle dhe operacione për të goditur elementet dhe grupet kriminale që tentojnë të zhvillojnë veprimtarinë kriminale ku marrin pjesë të rinjtë.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, dhe në vijim të dy megaoperacioneve mbarëkombëtare “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2”, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka regjistruar 2 procedime penale të vitit 2024.
Pas një hetimi tremujor të kryer me metoda speciale të hetimit nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të 24 shtetasve.
Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe u finalizua faza e dytë e operacionit “Tempulli 3”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për 19 shtetas, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi.
Gjatë operacionit u arrestuan 19 shtetas ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, konkretisht:
K. H., 26 vjeç, D. K., 39 vjeç, O. V., 21 vjeç, H. F., 20 vjeç, F. Gj., 32 vjeç, V. Xh., 42 vjeç, A. Xh., 52 vjeç, O. I., 62 vjeç, L. K., 26 vjeç, M. K., 32 vjeç, K. H., 24 vjeç, R. M., 25 vjeç, M. S., 18 vjeç, R. Sh., 33 vjeç, D. G., 21 vjeç, R. D. (S.), 52 vjeçe, E. B., 37 vjeçe, A. Sh., 33 vjeç, B. K., 34 vjeçe (arrestuar më parë gjatë zhvillimit të hetimeve).
Midis personave për të cilët Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur masë sigurie, është dhe shtetasi A. Xh., alias A. T., alias J. C., 52 vjeç, banues në Tiranë, i cili është arrestuar në muajin maj të këtij viti, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, për një ngjarje të ndodhur në shtetin grek.
Giithashtu po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e 5 shtetasve të tjerë.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
➢ 1.2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë;
➢ qindra doza të lëndëve të dyshuara narkotike heroinë dhe kanabis;
➢ 12 celularë;
➢ 5 automjete;
➢ shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe valuta të tjera, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshme të Tiranës.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentinin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë.
Në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjej rastin të falenderojmë prokurorët z. Drini Pali dhe z. Adriano Dyrmishi, si dhe drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, z. Arens Cela, për drejtimin, koordinimin dhe mbështetjen për finalizimin me sukses të dy procedimeve të fazës së dytë të megaoperacionit “Tempulli 3”.
Njëkohësisht, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falenderon qytetarët, për informacionet e shumta të dhëna për këtë veprimtari kriminale, të cilat kanë qenë të rëndësishme për nisjen e hetimeve.
Duke përfituar nga rasti, dua të garantoj qytetarët se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin e sigurinë, parandalminin, evidentimin dhe goditjen e cdo paligjshmërie, dhe në këtë kuadër i ftoj përsëri që të vazhdojnë bashkëpunimin me Policinë, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie në cilëndo fushë që ajo shfaqet, pasi së bashku ndërtojmë një ambient më të sigurtë.