Vazhdon operacioni “BYE PASS”. Policia e Durrësit ndalon një tjetër shtetase të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të operacionit të koduar “BYE PASS”, kanë ndaluar shtetasen Dhurata Lazaj, 55 vjeçe, banuese në Tiranë. 55-vjeçarja ishte me detyrë inxhiniere pranë ARRSH Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Një ditë më parë, policia arrestoi ndërtuesin Rezart Arkaxhiu dhe Astrit Zenelaj, drejtor në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Ndërsa më herët, në prangat e policisë ranë edhe 5 zyrtarë të tjerë, Xhevat Vataksi, Afërdita Basha, Lek Tushaj, Agron Hasa dhe Kastriot Braha. Tre të fundit u lanë të lirë me detyrim paraqitje nga gjykata e Durrësit pas rivlerësimit të masës së sigurisë.
Faktet mbi të cilin është regjistruar ky procedim kanë të bëjnë me një sërë aksidentesh automobilistike që kanë ndodhur në rrugën nacionale Plepa-Kavajë dhe konkretisht në kilometrin e tretë, aty ku ndodhet një pikë furnizimi me karburant, i cili dyshohet se është ndërtuar dhe ka marrë leje në kundërshtim me ligjin.





