PISTOIA, 05 mars 2013– Policia italiane ka prangosur ditën e hënë 6 shqiptarë mbi të cilët rëndojnë akuzat e grabitjes dhe armëmbajtjes pa leje. Ndërkohë një nga shqiptarët e ndaluar akuzohet edhe për shpërndarje lëndësh narkotike.

Shqiptarët e ndaluar akuzohen se kanë grabitur të paktën 7 vila në Pistoia, Lucca dhe Pisa. Hetimet mbi këta shtetas kanë nisur që në muajin shtator dhe vetëm tani u bë e mundur dokumentimi i të gjitha provave në dëm të tyre.

Shqiptarët e ndaluar Bajram Bisku, 21 vjeç; Edmond Maka, 27 vjeç; Klandi Jaku, 27 vjeç; Nikoll Gjoka, 35 vjeç; Fatmir Beqiri, 25 vjeç dhe Arjan Gjuria, 40 vjeç. Policia italiane bën të ditur se 35 vjeçari Nikoll Gjoka është i vetmi i grupit që nuk dispononte dokumenta të rregullta, të gjithë të tjerët ishin në Itali me vizë turistike.

Ndërkohë Arjan Gjuria konsiderohet nga policia italiane si kreu i grupit të grabitësve dhe pikërisht prej tij mori emrin edhe operacioni policor. Duket se shqiptarët e tjerë i drejtoheshin këtij të fundit me pseudonimin Dajë.

Gjatë njërës nga grabitjet e realizuara nga grupi i shqiptarëve janë vjedhur përveç sendeve me vlerë si ora dhe bizhuteri të çmuara edhe dy çifte. Vlera e sendeve të grabitura arrin në disa mijëra euro. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/