Një shtetas i Kosovës me banim në Shqipëri me inicialet Sh.S si dhe dy të tjerë, janë arrestuar në kuadër të operacionit “RYDOX”, i cili ka goditur një treg të paligjshëm kibernetik. Sipas njoftimit të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar, kompania Rydox, me tre administrator gjithsej, që prej shkurtit 2016, Rydox ka kryer mbi 7,600 shitje të informacionit që gjeneruan të paktën 230,000 dollarë të ardhura. Platforma ka ofruar mbi 321,372 produkte të krimit kibernetik për një bazë përdoruesish prej 18,000 individësh, duke përfshirë informacione personale të vjedhura të identifikueshme si emrat, adresat dhe numrat e sigurimeve shoqërore, informacionin e kartave të kreditit dhe kredencialet e hyrjes të mijëra persona që banonin në Shtetet e Bashkuara.
Operacioni u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK, FBI-së (Zyra në Pittsburgh), Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Shqipëri, Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Policisë Mbretërore të Malajzisë.
Faqja e internetit Rydox funksiononte si një treg i paligjshëm i dedikuar për:
- Shitjen e informacionit personal të vjedhur (PII);
- Shitjen e kredencialeve të aksesit të pajisjeve të vjedhura;
- Shitjen e mjeteve dhe materialeve për kryerjen e krimeve kibernetike, duke përfshirë tutoriale dhe mjete për spam.
Në ekzekutim të urdhërit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u kryen kontrolle dhe u sekuestruan: 1 njësi kompjuterike dhe 6 laptopë; 5 celularë dhe pajisje të tjera memorizuese, dokumente dhe asete monetare në kriptomonedha, ndërkohë që autoritetet amerikane sekuestruan domenin www.Rydox.cc.