Muarrem Koroveshi i arrestuar sot nga një operacion i policisë së Shtetit dhe SPAK, dhe 2 personat e tjerë të shpallur në kërkim, dyshohet se po planifikonin të vrisnin në Vlorë Ines Hajrullën.
Më herët në verën e 2023-it, u arrestua Amarildo Nikollin, i cili u kap nga policia e Vlorës me pistoletë me silenciator. Dyshohet se ai kishte ardhur në Vlorë për të kryer atentat ndaj Ines Hajrullës. Nikolli dyshohet se ka mbajtur nën vëzhgim, të gjitha ambientet që frekuentonte dhe posedonte biznesmeni, i cili iu ka shpëtuar më herët dy atentateve.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.