Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet për një dekonspirim të operacionit “Revanshi” që çoi në nxjerrjen e 50 urdhër-arresteve nga SPAK.

Gjatë fjalës së tij në Komisionin e ligjeve, Dumani ka thënë se nuk ka asnjë dijeni apo indicie që operacioni është dekonspiruar.

”Lidhur me pyetjen e fundit, në dijeninë time nuk kam asnjë të dhënë apo indicie që operacioni është dekonspiruar”, tha ai.

Po ashtu nuk ka lënë pa përmendur, marrëdhëniet me funksionarët e shtetit të cilat janë vetëm institucioniale dhe proceduriale.

Dumani theksoi se janë të shurdhët nga çdo lloj retorike politike dhe se orientohen vetëm përballë ligjit dhe shoqërisë shqiptare.

“Ne e kemi marrëdhënie institucioniale dhe proceduriale me funksionarët dhe ish-funksionarët e shtetit. Kjo është marrëdhënia që SPAK ka ndërtuar. Institucioniale dhe proceduriale në rastet kur duhet të thirren në rolin e të hetuarit, të pandehurit apo edhe të deklaruesit para Prokurorisë së Posaçme. Ne jemi të shurdhët nga çdo lloj retorike politike. Orientohemi dhe jemi të përgjegjshëm vetëm përballë ligjit dhe shoqërisë shqiptare”, shtoi Dumani.