Pas një seance maratonë që zgjati mbi 7 orë, Gjykata e Elbasanit ka vendosur lirimin e 16 personave të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Metalurgjiku”, duke e cilësuar arrestimin e tyre si të paligjshëm.
Në pranga përfunduan 16 persona, 9 prej të cilëve shtetas të huaj, të dyshuar për kryerjen e krimeve kundër mjedisit. Seanca u zhvillua me vonesa për shkak të numrit të lartë të të arrestuarve, si edhe për shkak të pranisë së shtetasve të huaj, për të cilët u deshën përkthyes të licencuar.
Në përfundim të shqyrtimit, gjykata vendosi mospranimin e masave të sigurisë, duke shpallur të paligjshme arrestimet. Ndërkohë, Prokuroria ka njoftuar se do ta apelojë vendimin, sapo ai të zbardhet zyrtarisht.





