Bruksel, 16 qershor 2014 – Bashkimi Europian mirëpret operacionin e policisë, kundër kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”, eurokomisioneri Stefan Fyle thekson se operacioni kundër plantacioneve me kanabis tregon vendosmërinë në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar.
Mirëpres operacionin e policisë së shtetit kundër plantacioneve me kanabis në Lazarat, veprim ky që tregon vendosmëri në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar”,- është shprehur Fyle në rrjetin social “Twitter”.
Lufta kundër krimit të organizuar është një ndër rekomandimet kryesore që Bashkimi Europian i ka dhënë Shqipërisë sa i përket procesit për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Rreth 500 forca të policisë kanë ndërmarrë një operacion në Lazarat të Gjirokastrës, për asgjësimin e lëndëve narkotike. Efektivët kanë hasur në kundërshtimin me armë të një grupi personash, të cilët kanë qëlluar me mortaja e mitralozë, për të penguar operacionin.
Në fshatin “rebel” të Gjirokastrës, situata vijon të jetë e tensionuar prej mbrëmjes së djeshme, ndërsa autoblindat e policisë, RENEA dhe forcat speciale po avancojnë shtëpi më shtëpi duke marrë nën kontroll situatën.
Ndërkohë, policia publikoi edhe listën e personave që kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të rendit.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se shteti i ka shpallur luftë mafies dhe krimit, duke paralajmëruar se të gjithë banorët që qëllojnë në drejtim të policisë, do të përballen me forcat e ligjit si asnjëherë tjetër.





