Shtatë persona janë vënën nën hetim në Tiranë, pasi tregtonin bizhuteri me vlerë të dyshuara të kontrabanduara.

Gjatë operacionit të koduar “Second hand” të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u proceduan penalisht shtetasit G. S., 36 vjeç, F. D., 27 vjeç, M. B., 44 vjeçe, I. B., 37 vjeçe, F. S., 29 vjeç, I. I., 33 vjeç, F. A., 46 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Ata tregtonin në dyqanet e tyre, bizhuteri të një marke të mbrojtur, të dyshuara të kontrabanduara, për të cilat nuk kishin fatura doganore dhe tatimore.

“Tregtonin sende me vlerë (bizhuteri) të një marke të mbrojtur, të dyshuara të kontrabanduara, për të cilat nuk dispononin fatura doganore dhe tatimore, procedohen penalisht 7 shtetas. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, finalizuan operacionin policor të koduar “Second hand”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të sendeve me vlerë”, sipas policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.