TIRANË, 2 korrik 2013 – Të gjithë operatorët turistikë ankohen se ka rënie deri në 50 për qind të numrit të vizitorëve / turistëve, ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve deklaron se në 6-mujorin e parë 2013 “numri i vizitorëve jorezidentë ka pasur rritje me 15.1 për qind krahasuar me vitin 2012”, ose “kanë hyrë 139,008 vizitorë të huaj më shumë”. Tabelat e përgatitura nga MTKRS-ja paraqesin numrin e vizitorëve me nënshtetësi të huaj jorezidentë që kanë vizituar Shqipërinë për periudhën janar-qershor 2013 dhe krahasimi me të njëjtat periudha të viteve 2008-2012. Opozita e deritanishme ka shprehur dyshime për trukime të statistikave dhe ka kërkuar audit ndërkombëtar dhe kalim të INSTAT-it organizmave të huaj. Qeveria në ikje ka kundërshtuar me forcë këtë veprim të qeverisë në pritje.
Info
Ironia më e madhe është se MTKRS-ja ka trumbetuar me të madhe “Zyrën e shërbimit turistik në terminalin e udhëtarëve në portin e Durrësi”, që u përurua në pikun e fushatës elektorale, më 17 maj 2013, me pjesëmarrjen e ministrit gjysmë-durrsak, poetit të shquar antikomunist, ish-të përndjekurit politik Visar Zhiti. Por në fakt ishte një investim i Agjencisë turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Pranë kësaj zyre, krahas fletë palosjeve, hartave dhe broshurave, me të dhëna turistike, është instaluar edhe një ekrantouchscreen, përmes të cilit informacionet turistike mund të vilen drejtpërdrejt nga turistët dhe udhëtarët e interesuar.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





