PRISHTINE, 26 mars 2013 – Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës – KOSTT,  prezantoi sot një studim mbi sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë (SFEE) për periudhën deri në vitin 2030. 

Studimi  përmban edhe komponenten e operimit të përbashkët me Republikën e Shqipërisë, si mundësi e sigurimit të furnizimit me energji elektrike. Gjithashtu është konstatuar se operimi i përbashkët i sistemit elektroenergjetik Kosovë-Shqipëri sjell përparësi sidomos duke pasur parasysh se operimi i sistemit të Kosovës, si i vetëm, është më i varur nga importi dhe më pak i aftë për eksport, se sa operimi i sistemit të përbashkët elektroenergjitik. 

Gjeneratorët termikë në Kosovë do të operonin me ngarkesë të pandryshuar e si rezultat ka rendimentin e shtuar, ndërsa gjeneratorët hidrikë do të punonin në kohën e ngarkesave maksimale, kur edhe çmimet do jenë më të larta. Studimi provon që ky model i operimit sjell mirëqenie më të larta për të dy vendet. Për më tepër, në këtë studim gjithashtu arsyetohet edhe krijimi i një tregu të përbashkët të energjisë Kosovë-Shqipëri, për ta zgjeruar edhe më tutje në tërë Evropën Juglindore.

Sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE), siç janë energjia nga era dhe energjia solare, përkundër kostos më të lartë të gjenerimit krahasuar me gjenerimin e energjisë elektrike nga burimet termo, shfrytëzimi i BRE është strategji klimatike në tërë Evropën dhe kjo përbën një kusht që duhet plotësuar.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/