Muaji korrik është mbyllur me numrin rekord më të ulët të pushuesve në plazhin e Durrësit. Pavarësisht se numri i ulët vitet e shkuara i faturohej muajit të Ramazanit, i cili përkonte në muajt korrik- gusht, këtë vit që agjërimi u mbyll në muajin qershor, numri i pushuesve ishte mjaft i ulët në zemrën e sezonit turistik.

Pavarësisht se Durrësi ofron vijën më të gjerë bregdetare në vend, me një gjatësi prej 62 km dhe me çmimet më të ulëta për akomodim, ushqim e argëtim jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon, ulja e numrit të pushuesve përkthehet “katastrofë” për të gjithë ekonominë lokale, e cila i ka varur shpresat tek turizmi.

Hotelet që kanë mbyllur prenotimet me pushues nga Evropa Juglindore numërohen me gishtat e dorës në bregdetin e Adriatikut, ndërsa subjektet e tjera të biznesit janë në ditët më të këqija, aq sa nuk mbulojnë as kostot e shpenzimeve mujore. Nga një vëzhgim i thjeshtë në vijën bregdetare të Durrësit, në një ditë normale pushuesit vërehen që janë dukshëm më të paktë.

70% e çadrave janë bosh, po kështu hotelet, dhomat e shtëpive që jepen me qera, restorantet, madje edhe dyqanet e ushqimoreve e deri tek misrapjekësi që në qymyr piqet gjithë ditën me misrat e tij.

Konkurenca ka rritur shërbimin dhe ka ulur çmimet.

Evident është fakti që nga viti në vit, ashtu si shtëpitë kanë ofruar shërbime më të mira për pushuesit, hotelet e restorantet edhe gjithë infrastruktura e nevojshme është vënë në shërbim të tyre.

Në lokalet dhe hotelet e zonës së plazhit në Durrës një kafe kushton nga 60 deri në 100 lekë, një sanduiç 120 lekë, një ujë 50 lekë, ndërsa dreka për katër persona shkon nga 3500 deri në 5000 lekë, në varësi të restorantit ku ulesh përgjatë bregut të detit.

Ashtu si frutat e freskëta që variojnë nga 100 deri në 200 lekë për kg. Këto fruta që i sjellin këtu fshatarët e zonës në çdoplazh jashtë Shqipërisë variojnë nga 8 deri në 10 euro dhe këtë e dinë mirë ata që jetojnë jashtë e ata që shkojnë jashtë për pushime.

Picat shkojnë nga 350 deri në 500 lekë në piceri dhe restorante, çmime këto që janë shumë të ulëta krahasuar me çdo vend tjetër turistik në veri apo jug të Shqipërisë. Fjetja kushton nga 10 deri në 110 Euro në natë, në varësi të buxhetit që ka çdo familje dhe individ.

Këtu pushimet janë shumë ekonomike për vetë faktin se hotelet dhe banesat me qira ofrojnë për kategori të ndryshme oferta të ndryshme. 

Evident është fakti se këtë vit janë shtuar hotelet me pesë yje përgjatë vijës bregdetare të cilët ofrojnë edhe shërbime e kualitet “PREMIUM” për pushuesit. Në këto hotele, një natë varion nga 100 deri në 150 euro në funksion të suitës që prenotohet nga pushuesit.

Në hotelet e tjera, një dhomë shkon nga 20 deri në 50 euro për natë. 

Si asnjëherë më përë këtë vit e gjithë vija bregdetare është e mbuluar nga një rrjet kanalizimesh i ndërtuar në të gjithë zonën me një fond prej 7 milionë euro. Kjo ka bërë që plazhi të jetë i pastër në të gjithë gjatësinë e saj e të mos harrojmë që as Shëngjini e as Saranda apo Ksamili nuk kanë një sistem të tillë nëntokësor të kanalizimeve.

Madje, një vit më pare, në Ksamil shpërtheu tubacioni i kanalimeve të ujërave të zeza duke prishur pushimet e shumë pushuesve që gjendeshin në ato momente në plazh.

Problemi i kanalizmeve është mbyllur, ndërsa ujësjellësi furnizon së paku 6 orë në ditë me ujë të gjithë zonën bregdetare.

Edhe pse infrastruktura nuk është perfekte për një turizëm elitar në të gjithë vijën bregdetare, asnjë prej arsyjeve të mësipërme nuk është shkak për të ulur në mënyrë të frikshme numrin e pushuesve në një zonë e cila mbështetet gjerësisht tek industria e turizmit, e prej së cilës varet e ardhmja e mijëra familjeve të cilat fatin e kanë të lidhur në mënyrë të pakthyeshme me zhvillimin e kësaj industrie.

A ka probleme? Ato janë aty e gjithmonë do të ketë, sepse as në Greqi nuk ka roje bregdetare e këtë e shikojnë më së miri mijëra shqiptarë që këtë verë po pushojnë minimalisht nga një javë në ishujt grekë. Por a janë këto probleme kaq të mëdha saqë bregdeti të qëndojë bosh e njerëzit me sytë nga rruga “Pavarësia” duke parë nëse po vjen ndonjë autobus me pushues? Çfarë i ndodhi këtë vit Durrësit që po braktiset nga pushuesit?

Ata pushues që janë e po kalojnë pushimet në bregdet shprehen se po kalojnë mirë e janë të kënaqur me çfarëju ofrohet.

A janë kullat e vrojtimit shkak për të braktiur plazhin pushuesit?

Në jug deti është shumë i thellë e bregdeti shkëmbor, ku rrezku për t’u mbytur është shumë më i madh se në bregdetin e cekët të Durrësit, e nuk ka kulla vrojtimi, madje as në Greqi ku thellësia e detit është që në hapat e parë.

Por në Durrës, kullat e vrojtimit janë bërë si delja e zezë, që padyshim autoritetet duhet t’u kishin gjetur një zgjidhje e të mos mbeteshin vetëm në deklaratat megallomane, aq sa për të dëmtuar kaq rëndë lokomotivën pararojë të ekonomisë shqiptare.

Rritja e cilësisë së shërbimeve dhe ulja e çmimeve është në nivele të duhura kjo sepse vetë subjektet janë ndërgjegjësuar që vetëm në këtë mënyrë futen në tregun e konkurencës për të thithur sa më shumë pushues.

Por se çfarë ka ndikuar negativisht në plazhin e Durrësit kjo është për t’u parë e për t’u analizuar nga strukturat përkatëse, sepse biznesi nga viti në vit ka shtuar e ka marrë masa për të pritur pushuesit duke investuar në përmirësimin e rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofron në të gjitha drejtimet.

A është kjo një fushatë e dirigjuar e denigruese kundër turizmit në vend për t`ju shërbyer agjensive turistike që të çojnë pushuesit dhe paratë e shqiptarëve  jashtë vendit?   

Në çdo vend mund të shikosh 100 probleme,  nëse sheh me sytë e këqinj të negativitetit.  

Një gjë është e sigurt, këtu shoqatat e turizmit që duhet të menaxhonin situatën nuk janë kurrkund, dhe kjo ka bërë që Shqipëria të boshatiset nga turistët, e bashkë me boshatisjen, vendin ta mbërthejë varfëria.

Shifrat për miliona turistë janë përmbysur sepse askush nuk i beson më! Qeveriatërët duhet të vijnë të lahen në brigjet e Adriatikut e të promovojnë plazhet e vendit tonë përpara se të tregojnë përrallat e milionave të turistëve të mbërritur.

K.H.