Nga Gjergj Thanasi

Në 3 korrik 2005 PD-ja, pas tetë vitesh në opozitë me ndihmën edhe të aleatëve, fitoi ngushtë mbi socialistët e velur deri në kalbësi pas tetë vitesh pushteti. Fitorja ishte paralajmëruar nga i ndjeri Potter Goss, numri 2 i CIA-s, që pak javë para zgjedhjeve i kishte “prerë biletën” Nanos dhe qeverisjes socialiste. Periudha e tranzicionit deri në shtator u përdor nga administrata e lartë socialiste për të rikontrolluar dosjet, praktikat e ndryshme të punës me synimin për të eliminuar sa të ishte e mundur çdo gjurmë hajdutërie dhe korrupsioni. Në të folurën popullore, ministrat dhe drejtorët e majtë po kopsisnin letrat me ngut dhe me shumë përkushtim.

Fitorja plebishitare e boshtit PS-LSI në zgjedhjet e qershorit të këtij viti pati tjetër efekt mbi administratën Berisha shumfish më të korruptuar se administrata Nano e vitit 2005. Ministrat, zyrtarët e lartë të administratës, në vend të kopsitjes së letrave dhe fshirjes së gjurmëve të hajdutërisë, iu futën vjedhjes e plaçkitjes me temp të përshpejtuar. Motoja e këtyre kolltukofagëve ishte: të vjedhim e të rrëmbejmë çfarë të mundim deri ditën e fundit, që të ndenjurat tona do të ulen në kolltuqet e zyrave të pushtetit. Ky qëndrim kontrastonte dukshëm me qeverinë Nano të vitit 2005. Kështu “Mamuthi i Korrupsionit” pastronte letrat në 2005, ndërsa financieri Bode firmoste për emërimin në dogana edhe të kushërinjve të katërt apo të pestë. “Duka i Krimit” mbyllte dosjet e punës në Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa “Druri i Arrës” i Salës firmoste tendera edhe ditën e fundit të pushteti njëlloj si me kontratën e ACR-së në Bulqizë, në 2009. Madje edhe figura anektodike si Aldoja i fakseve gërdeciane të Shkëlzenit apo “Sherlok Holmsi” Nul Moka bënin emërime në vende pëllumbash apo duke lënë litarët jashtë, që të pengohej e të thyente qafën kryeministri i ardhshëm Rama. Tipike është edhe emërimi me kohëzgjatje dy-tre-javore i Prefektes së Tiranës, apo emërimi djallëzor i djalit të Xhepit e Lydrës në drejtorinë e doganave. Shkurt, puna këtyre myteberëve, jo vetëm që u kishte plasur turpi, por kishin harruar edhe frikën, duke i genjyer mendja se sekserë mediatiko-opozitarë pranë Kryeministrit Rama do të shërbenin si zyra ALUIZNI e sekserllëku për të legalizuar veprimet e tyre antiligjore madje edhe “pas pilafit”, d.m.th., pas humbjes spektakolare të 23 qershorit.

Fatkeqësisht, skota e hajdutëve të ish-qeverisë Berisha kishte harruar një precedent të shkurtit 2006, kur prokuroria arrestoi Luiza Hoxhën, ish-deputete e PS-së, ish-prefekte, ish-drejtoreshë të përgjithshme të postave dhe anëtare e KPD-së. Luiza u arrestua, gjykua dhe vuajti dënimin për një dëm të shkaktuar shtetit në vlerën 3 milion e 200 000 euro. Arqile Goreja, drejtori demokrat i postave, e kishte besuar me të vërtet parrullën demagogjike të Berishës: Qeverisje me duar të pastra. Në zbatim të kësaj parulle, duke shfrytëzuar edhe faktin që zonjusha Hoxha kishte lënë si të thuash gjurmë elefanti në aferën 3,2 milion euroshe të pullave të postës, drejtori Goreja, pa ngurruar, firmosi shkresën për të kallëzuar në prokurori paraardhësen e tij.

Ky është precedenti Goreja. Ky precedent mund të shërbejë fare mirë si manual për Kryeministrin Rama për të shkuar përtej face-lift-it të kryeministrisë te furnizimi me “lëndë të parë” i prokurorisë. Drejtorët dhe ministrat e rinj duhet të provojnë, me vepra jo me fjalë, që rilindje nuk do të thotë se, shyqyr zotit, na erdhi radha edhe neve për të vjedhur gjithçka që la pa vjedhur Berisha me të tijët këto tetë vite. Antidoti më i mirë kundra psikologjisë së radhës për të vjedhur është njohja e menjëhershme e situatës nga titullarët e rinj kuptohet pa e zgjatur maksimumi brenda pak javësh. Më pas mbetet domosdoshmëri përgatitja e dokumenteve për ndjekje penale për abuzimet e paraardhësve. Të tilla ndjekje penale mund të shërbejnë fare mirë edhe si një nga mënyrat për të siguruar para për buxhetin e shteti, që Sala e la, siç i la Ramiz Alia dollapet e frigoriferët e shqiptarëve në vitin 1991. Të tilla operacione mund të sigurojnë të ardhura modeste nën gjysmëmilion euro si në rastin e ministrisë së grekofonëve, ku çështja tashmë është në duart e drejtësisë, por mund të ketë edhe “jack pot-e” prej 15-20 milionë eurosh në tatime, si p.sh. rasti i biznesmenëve batakçinj kinezë dhe ustallarëve të Bodes te tatimet me efekt financiar 15-18 milionë euro. Dikasteri Imami, i shndërruar në shpellën e Ali Babës, mund të sigurojë rekuperimin në favor të shteti të miliona eurove tëtjerë. Mjafton të përmendim këtu afera të tilla si skrapet e metaleve me ngjyra në Mjekës, skrapet e mjeteve detare si nëndetëse, anije silur-kapëse, rimorkiator, kater rade etj apo eksportin e 1 000 tonë lëndë eksplozive te “vëllezërit” tanë serbo-sllavë. T’i hysh pastaj hajdutërisë së rrugëve, në kohën e Lulushit – tuneli i Kalimashit, dhe në kohën e Olldashit – tuneli i Kërrabës, do të thotë të rikuperosh dhjetra milionë euro. Kuptohet kjo vështirë se arrihet me një prokurori tip Dhalle apo hirre apo me një gjykatë mostrash si ai pinjolli i helikopterxhiut të Enverit. Ministria e Brendshme, përveç impaktit direkt te qytetari, mund të prodhojë para për buxhetin, nëse njësia e superprokurimeve e koncentruar në këtë dikaster kalohet në sitë. Aty krahas “xhevahireve” për prokurimin e uniformave të reja të policisë, furnizimit me karburante etj. do peshkohen miliona euro në tenderimet, që janë bërë në favor të dikastereve të tjera. Ministria e Bujqësisë, në duart e një hajduti veteran si Rruli, mund të ofrojë çudira e të prodhojë miliona euro për buxhetin, nëse aleati LSI, vërtet, është për integrim europian jo për hajdutëri të stilit afrikan. Tek ish-dikasteri Rruli mund të gjejë zbatim proverbi: ujku, ujku (Bode, Imami etj), por çakalli (Ruli) bën kërdinë!

A është e lehtë të bëhet kjo? Sigurisht që jo! Kryeministri, gjithsesi, publikisht u ka bërë një premtim shqiptarëve: po bëhem kryeministër, që të le gjurmë. Me këtë premtim ai ka treguar se të paktën verbalisht ka këllqe e takat t’i kundërvihet me kopaçe në dorë hajdutërisë, që trashëgoi nga qeveria Berisha. Të emëruarit e tij, përgjithësisht, nuk kanë hipoteka korrupsioni dhe hajdutërie nga e kaluara. Aleati LSI është tjetër histori dhe për këtë mjafton riemërimi drejtor apo më mirë të themi specialist mjeljeje te “lopa” ANTA e të njëjtit person, që trimërisht rezistoi plot pesë muaj në opozitë, larg lopës së tij të dashur. Megjithatë Ilir Meta si në mrekullinë biblike të Saulit, të shndërruar në apostull të Jezuit, është shndërruar në tjetër njeri pas takimit mjaft profesional e frytdhënës me drejtoreshën e DEA-s amerikane. Pra, edhe në këtë front ka shpresë për shqiptarët!

Të emëruarit e Edi Ramës, në shumicë gra e relativisht të rinj në moshë, kanë rastin ta tregojnë veten dhe me performancën e tyre do të kenë mundësinë t’ua mbyllin gojën kasandrave ndjellakeqe. Në këtë rast precedenti Gorea fare mirë mund t’i shërbejë Kryeministrit Rama si sistem referimi. Fjala vjen, nëse zonjusha Spiropali, si drejtore e doganave, arrin të mbushë buxhetin me detyrimet doganore duke çuar njëkohësisht kontrabandistët dhe nëpunëist e korruptuar për ndjekje penale, atëherë Kryeministri Rama mund ta mbajë atë për tetë vjet drejtore doganash, siç e mbajti Berisha Gorenë për tetë vjet drejtor postash, pasi futi në burg paraardhësen e vet Luiza Hoxhën.

Shqiptarët, natyrisht, dëshirojnë të jetojnë gjithnjë e më mirë, njëlloj si euopianët, sepse realisht si komb i përkasin Europës. Gjithsesi, shqiptarët janë gati të durojnë edhe sakrifica momentale me kusht, që të rivendoset drejtësia sociale dhe shteti i sundimit të ligjit. Nuk duhet të ketë më drejtorë e ministra të paprekshëm! Shprehur më shqip, banorët e këtij vendi duan që hajdutët të shkojnë në burg e të mos kapërdisen bulevardeve të Tiranës majë jaguar-it si mizat në majë të m….

P.S. Besoj se dekorimi plot shije me harta mesjetare i mureve të Kryeministrisë apo spastrimi nga ambientet e spitaleve i hale-mejhaneve nuk mund të jetë misioni i madh i jetës së Kryeministrit Rama. Ndëshkimi-burgosja e  fajtorëve, rivendosja e drejtësisë sociale është “mission impossible” i aktualisht njeriut të shpresës së shqiptarëve, i individit EDI RAMA.

* Analist i problemeve të sigurisë, është nga Durrësi. Versioni i këtij shkrimi të pacensuruar është dërguar nga vetë autori.