Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka folur për opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me pajtueshmërinë e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka. 

Bardhi tha se mazhoranca u zotua se sapo të vinte opinioni i Venecias do ta zbatonin, por sipas tij, ata bënë të kundërtën. 

Ai tha se shpikën një opinion që nuk ekziston duke u thënë shqiptarëve se Kuvendi është i pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese. 

Ndër të tjera ai kërkoi që çështja e Olta Xhaçkës të futet në rend dite dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. 

“Komisioni i Venecias u ka thënë atë që ju kemi thënë ne në këtë sallë, atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese, që nuk mund të ngrini pavarësinë tuaj apo lirinë tuaj të votës kur bëhet fjalë për vendimet e GJK. Nuk mund të konsiderohet si imponim i  një mënyre votimi, por përmbushje përgjegjësie. 

Prandaj, fusni menjëherë në rend dite. Dorëzojani drejtësisë Olta Xhaçkën, të vendosë GjK nëse është apo jo në kushtet e papajtueshmërisë. Çdo sjellje e kundërt ndaj saj është minim i shtetit të së drejtës”, tha Bardhi.