TIRANE – Sipas Partisë Socialiste qeveria Berisha realizoi 4 detyra shtëpia nga 12 të tilla që i kishte lënë Brukseli.
 
"Brukseli i kishte lënë Shqipërisë 12 detyra shtëpie. Nga këto,falë kontributit të opozitës janë përmbushur vetëm katër, tetë detyra shtëpie kryekëput përgjegjësi e qeverisë vazhdojnë të mbetet të papërmbushura. Bashkimi Europian kërkon që ligjet të respektohen dhe të zbatohen, jo vetëm të ekzistojnë në letër, kërkesë kjo që përputhet plotësisht me qëndrimin e opozitës. Bashkimi Europian kërkon me ngulm që zyrtarët e lartë të korruptuar të shkojnë përpara drejtësisë sic ndodhi në Kroaci, në Malin e Zi, në Bullgari apo edhe në Rumani. Ndërkohë vendi ynë, nën drejtimin e Sali Berishës ka Qeverinë më të korruptuar në Europë, sipas 'Transparency International'",- tha Milena Harito, anëtare e grupit të punës për programin për një Rilindje Shqiptare.

Ndërkohë kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, duke u ndalur në këtë temë, tha se  Edi Rama nuk do të lejojë Partinë Socialiste të votojë ligjet e kërkuara derisa të zhvillohen zgjedhjet. 

“Edi Rama realizoi një qellim ogurzi, qëllimin e bllokimit të marrjes së statusit me besimin e verbër se statusi do të forconte më shumë pozitën  e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme. Unë gjykoj se statusi forconte pozitën e të gjithë shqiptarëve në procesin e integrimit, evidentonte kontributin e të gjitha palëve në këtë proces. Mund ta vonosh, e ke vonuar tre vjet, por ke bërë llogari shumë, shumë, shumë të gabuara. Sepse në verbërinë e tij, në ethen e tmerrshme për karrige ka tre vjet që bllokon statusin. Ndaj dhe i siguroj shqiptarët që ai nuk i voton ligjet, sepse në ligësinë e tij ndaj interesit të qytetarëve shqiptarë, ai nuk ka kufij”,- u shpreh Berisha.