Opozita nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme parlamentare. Mësohet se mungesa e sotme në seancë është për shkak të protestës për falsifikimin e votës për teatrin.
Në fillim të seancës plenare, në sallë do të jenë vetëm dy kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, të cilët do të kërkojnë përgjigje nga kreu i Kuvendit lidhur me kërkesën e tyre drejtuar më herët, ku i kanë kërkuar anulimin e votimit të ligjit për Teatrin Kombëtar.
Ndërkohë vlen të theksohet fakti se edhe nëse PD do të ishte e pranishme sot në Kuvend, kreu i saj Basha do të mungonte pasi ka udhëtuar të dielën drejt SHBA-së ku do të ketë një seri takimesh zyrtare deri më 12 korrik.





