Opozita i ka dërguar një letër Kolegjit Zgjedhor këtë të hënë, teksa kërkon pezullimin e dhënies së mandateve për Këshillat Bashkiakë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Letra e nënshkruar nga numri 2 i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i dërgohet Kolegjit Zgjedhor para nisjes së shqyrtimit të çështjeve për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë.

Në letër thuhet se “Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për kushtetueshmërinë e votimeve të 30 qershorit. Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave monopartiake Bashkiake. Sipas Kodit të Procedurës Civile, Kolegji Zgjedhor ka detyrimin ligjor të vendosë pezullimin e gjykimit, për shkak se “çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër.”

Për letrën është informuar edhe ODIHR, ONM, BE, ambasadat kryesore në Tiranë.

Sipas opozitës, ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetueshmërinë e Dekreteve të Presidentit, i cili kishte anuluar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit dhe dekretuar mbajtjen e tyre më 13 tetor.