Lidhja Demokratike e Kosovës, me anë të një deklarate për media ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme në parlament dhe dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Haradinaj, pas dështimit për liberalizimin e vizave. Partia e Isa Mustafës akuzon publikisht kreun e ekzekutivit Haradinaj se po fajëson Bashkimin Europian në një kohë që faji është i keqqeverisjes së vendit.
“Dështimin në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Interpol po e shesin si dështim të Evropës, në rastin e liberalizimit të vizave, dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpolit”, thuhet më tej në deklaratë.
LDK këmbëngul se Kosovës po i mbyllen dyert, sepse udhëhiqet prej njerëzve të izoluar. Sipas saj, parlamenti i vendit duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje dhe dorëheqja e qeverisë është veprimi i vetëm që ka mbetur për tu bërë.
Ndërkohë mëngjesin e të martës kryeministri Haradinaj ka pritur në takim disa nga përfaqësuesit e komunave të veriut të Kosovës. Në këtë takim u fol për bashkëjetesën mes komuniteteve në këtë pjesë të vendit. Nga ana e tij, Haradinaj i ka siguruar se Qeveria është e përkushtuar që të jetë sa më pranë banorëve atje për të adresuar shqetësimet e tyre.