Një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kosovës i nënshkruar nga 42 deputetë të opozitës, por jo vetëm, mund ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Lista e deputetëve që kërkojnë shkarkimin e qeverisë përbëhet kryesisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosje dhe Nisma.

Ndërkohë PDk mblodhi me urgjencë kryesinë e saj, duke shtyrë me një orë mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ku do diskutohej për mocionin. Pas mbledhjes nga kryesia e PDK u tha se nuk ka patur vendim përfundimtar dhe se në ditët e ardhshme do të ketë sërish diskutime.

Mediat kosovare kanë vënë në dukje një postim shumë të shkurtër në faqen Facebook të PDK-së dega Prishtinë ku shkruhej hashtagu #kadriveselikryeministër.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, do të vendosë të mërkurën për datën se kur do të mbahet seanca ku do të votohet mocioni i opozitës. Ndërkohë në Prishtinë, Vetëvendosje ka protestuar në 6 mujorin e vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit. Gjatë tubimit përpara Ministrisë së Drejtësisë ka patur edhe përplasje me policinë dhe janë dëmtuar disa makina zyrtare.