Partia Demokratike e Kosovës e ka kritikuar qeverinë për politikë të gabuar pas mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me kërkesë të Serbisë për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb.
Sipas kësaj partie qeveria Kurti ka bërë që fuqitë perëndimore të pajtohen më Rusinë e Kinën, gjë të cilën nuk e bëjnë për asnjë temë.
Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së: Kuptojeni, në OKB rëndësi ka fjala jonë nëse e mbështesin aleatët. Dëgjojeni fjalimin e Ambasadores së SHBA-ve. Dhe aleatëve tanë. Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka vlerësuar se mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte tërësisht e panevojshme për Kosovën.
Avdullah Hoti, deputet i LDK-së: Ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit. Kjo qasje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet ta zgjasë periudhën e tranzicionit për vendimin e BQK-së për katër muaj, njëjtë sikur kishte ndodhur me kampanjën për liberalizimin e vizave
Jorn Rohde, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë: Me fushatën e saj 4 mujore përpara liberalizimit të vizave, qeveria e Kosovës ka treguar se di të komunikojë siç duhet. Ne kemi nevojë për atë përsëri tani.