6 mars 2015 – Opozita ka vendosur të nisë protestat në vend të enjten e ardhshme, një vendim ky i cili është marrë në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike dhe drejtuesve të degëve të saj në rrethe.
Mbledhja e cila është mbajtur në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, vjen pas publikimit të akuzave nga deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, Tom Doshi.
Protesta e cila do të zhvillohet më 12 mars në Tiranë, në qendër të saj do të ketë si kërkesë kryesore largimin e kryeparlamentarit Ilir Meta nga detyra e tij, pas akuzave që bëhen ndaj tij për porositjen e vrasjes së dy deputeteve, Doshi dhe Fufi.
Burime nga mbledhja e Partisë Demokratike, theksojnë se protesta do të jetë nxitje për dekriminalizimin, por gjithashtu edhe kundër asaj që demokratët e cilësojnë, si mungesa e rendit dhe e sigurisë në vend. Protesta e datës 12 mars, që nis në Sheshin “Skënderbej”, përkon me ditën kur do të mbahet seanca e radhës parlamentare.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





