TIRANE Opozita i bëri thirrje ministrit të Financave të kërkojë zyrtarisht nga institucionet ndërkombëtare listën e shqiptarëve që kanë transferuar para të jashtëligjshme jashtë shtetit. 

"A ka mundësi t'i kërkosh Fondit Monetar Ndërkombëtar emrat, kontot, shifrat e të gjithë qytetarëve shqiptarë që kanë para të padeklaruara jashtë Republikës së Shqipërisë. Sot bëj kërkesë zyrtare në emër të Qeverisë së Shqipërisë që të gjithë kontot bankare të padeklaruara, emrat e tyre, shumat e tyre të të vijnë ty si ministër i Financave në dorë, 1.3 miliardë dollarë",- tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.

Një ditë më parë, një institut amerikan publikoi një raport, sipas të cilit në vitet 2005-2010 nga Shqipëria u transferuan 1.3 miliardë dollarë para informale jashtë shtetit, pjesa dërrmuese e të cilave ka si burim evazionin fiskal dhe trafiqet. 

Ministri i Financave, Ridvan Bode, thotë se qeveria ka institucionet përkatëse që merren me këtë çështje.

"Shteti ka institucione dhe absolutisht as FMN-ja dhe as BB-ja nuk mund të kenë listën e depozitave nëpër banka apo të trafiqeve që mund të ndodhin. Ne kemi ngritur një institucion, i cili funksionon dhe ka lidhje me të gjitha agjencitë botërore sepse është anëtare e saj për Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave që komunikon me ta dhe ka informacione edhe këtu në Shqipëri, i ka deponuar edhe në Prokurori, edhe ne gjykata janë bërë disa herë të dukshme",- tha Bode.

Por ish-ministri socialist i Financave Arben Malaj tha se qeverisë i mungon vullneti për të gjetur zyrtarët e korruptuar që pasurohen me aktivitete të jashtëligjshme. 

"Zoti ministër kërkoje në mënyrë zyrtare, siç e bëjnë ministrat e vendeve që duan t'i japin kredibilitet vendit të tyre, kërko zyrtarisht cilët janë personat që janë përfshirë në këtë listë dhe pasi ta kërkosh në mënyrë zyrtare ndihmoje këtë vend, që nëse disa politikanë janë krimbur deri në grykë, nuk ka përse të bëhet pis e gjitha politika shqiptare",- tha Malaj.

Raporti i "Global Financial Integrity" vëren se fluksi i parave të pista që dalin jashtë Shqipërisë arriti rekordin në vitin 2008, ku nga vendi u transferuan 405 milionë dollarë nëpër parajasat fiskale. 

Rama: Po vjedhin paratë e shqiptarëve

Duke komentuar raportin Global Financial Integrity me qendër në Washington,  i cili thoshte se 1,3 miljard dollar kanë dalë nga shqipëria, para që i përkasin elitës së korruptuar, kreu opozitës Edi Rama lëshoi kritika të ashpra në adresë të kryeministrit Berisha dhe qeverisë që ai drejton.

“Shqipëria përgjatë qeverisjes së Partisë Demokratike janë arratisur 1.3 miliardë dollarë. 60% nga evazioni, 35% nga lidhjet kriminale dhe 5% nga korrupsioni, është përbërja e burimeve të këtyre 1.3 miliardë dollarë. Por ajo çka është me rëndësi themelore është se këto 1.3 miliardë dollarë janë paratë e shqiptarëve. Ja pse rrënohet Shqipëria ndër të tjera. Ja ku ikin dhe paratë e borxheve që kryeministri i merr për rrugë dhe rrugët pastaj i lë përgjysmë. Ja si ndodh që borxhi publik rritet në kurriz të shqiptarëve të zakonshëm, sot një familje e zakonshme shqiptare paguan 800 mijë lekë në vit për borxhin publik”, tha Rama.
 
Për gjetjet e raportit të Global Financial Integrity Rama tha se  një prej arsyejeve të shumta për mungesën e miljona dollar në buxhetin e shtetit,  me të cilat nëse nuk do ti gllabëronte korrupsioni qeveritar, do të shpenzoheshin në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në një situatë të tillë kur qeveria bën sikur punon tha Rama lind nevoja që 2013-a të jetë viti i ndryshimit që sipas tij duhet të jetë Berisha në opozitë dhe Shqipëria në Europë.

“Ndërkohë që ajo të gjitha bashkë i ndan nga ata që sot qeverisin është që qartësisht me atë që bëjnë tregojnë se nuk e duan këtë vend. Dhe fatkeqësisht e gënjejnë këtë vend përditë. Mesa duket jemi vërtet në rolet e gabuara, ata duhet të shkojnë në opozitë se dinë vetëm të flasin dhe s’dinë të bëjnë asnjë punë. Dhe ne të shkojmë në qeveri që të bëjmë ato që themi, duke e rikthyer qeverinë në punë. Madje kësisoj do zgjidhet edhe problemi i madh i Saliut që thotë sikur të më dëgjonte mua opozita sot do ishim sa hap e mbyll sytë në Europë. Kështu që dakord shumë më mirë me Saliun në opozitë dhe me Shqipërinë në Europë se sa me këtë qeveri të paaftë e të korruptuar deri në palcë dhe me Shqipërinë jashtë Europës”, tha Rama.

                                                  Marrë nga TOP CHANNEL