Nga Dr. Bledar Kurti
122,545 ishte numri i votuesve për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit 2023, pra mosha 18 dhe 19 vjeçare, zemra e rinisë shqiptare. Por votuan vetëm 16,000.
Në zgjedhjet e vitit 2021 ishin 106,820 votues për herë të parë dhe votuan 46,575. Brenda dy viteve dokumentohet një rënie drastike. Një braktisje e rëndë e rinisë ndaj procesit zgjedhor.
Por kë ndëshkoi rinia me këtë qëndrim, me këtë shuplakë tejet të rëndë? Absolutisht opozitën, sepse rinia në natyrën e saj është gjithmonë kundër çdo qeverie, sado e mirë apo e keqe të jetë ajo, pasi gjaku rinor dhe idetë e saj janë gjithmonë për ndryshimin, kundër çdo organizimi shtetëror, protestues instinktiv ndaj çdo formalizmi qeveritar, bashkiak apo komunal. Rinia është si balona kundra erës, e cila sa më e fortë të jetë era aq më lart ajo fluturon. Ndaj, siç na e mëson historia e njerëzimit, rinia ka qenë e do mbetet gjithmonë autore e ndryshimit, risisë, progresit dhe revolucionit.
Me 14 maj rinia zgjodhi të mos vepronte, sepse ishte një balonë pa asnjë pe ku të mbajej e me të cilën të mund të fluturonte. Opozita nuk hartoi asnjë program për rininë, asnjë platformë konkrete, asnjë ide të bëshme e të prekshme. Asnjë kandidat për kryetar bashkie i opozitës nuk i kushtoi vëmendje rinisë, motorit të ndryshimit e zhvillimit, përkundrazi i përdori të rinjtë thjesht për të bërë “like” dhe “share” në rrjete sociale, apo për të shpërndarë fletushka.
Për më tepër, i gjithë diskursi publik i opozitës, me një amatorizëm organizimi dhe komunikimi të paprecedentë, ishte i fokusuar vetëm në togfjalësha arkaik, pseudo-nacionalist, me tone e ngjyra negativiteti e jo shprese. Me një stil politik e komunikimi aq të vjetër e të paqartë saqë, jo vetëm rininë, por edhe të gjitha shtresat shoqërore nuk arriti e as nuk synoi t’i apelonte.
Përse ky amatorizëm trashanik i opozitës kur në gjirin e saj ka politikanë me përvojë prej disa dekadash? Kjo është fare e thjeshtë. Edhe një student i padiplomuar ende i shkencave politike apo shkencave të komunikimit mund ta shpjegojë. E vjetra me të renë nuk përzihen dot sikurse uji me vajin. Rinia shqiptare, e kudo në botë, po ecën me ritme marramendëse. E gjithë demografia e votuesve rrjedh nën këmbët e politikanëve statik me shpejtësinë e dallgëve të oqeanit. Mazhoranca e ka kuptuar më së miri këtë gjë ndaj edhe e ka rininë si themelin e strategjisë së saj politike, pasi rinia ka prindër e gjyshër të cilët prioritetin më të madh kanë të ardhmen e fëmijëve të tyre, ndërsa opozita nuk e ka kuptuar këtë dinamikë dhe nuk ka për ta kuptuar kurrë për aq kohë sa drejtuesit e saj kanë mentalitetin e së shkuarës e jo të ardhmes.
Shëmbëlltyra e Krishtit mbetet si shembulli më i mirë i mospajtimit të së vjetrës me të renë, kur tha:
Askush nuk vë një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna e gris rrobën e grisja bëhet më e madhe. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se kacekët çahen, vera derdhet e kështu humbasin edhe kacekët. Prandaj, vera e re hidhet në kacekë të rinj e kështu ruhen që të dyja.
Ndaj edhe rinia e ndëshkoi të vjetrën sepse ishte e vjetra që vazhdoi ta përçmonte rininë, thjesht edhe për faktin që nuk prodhon ide. Dhe kapitullimi i ideve është gjëja më e urryer për rininë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 pritet të ketë mbi 100,000 votues për herë të parë. E duke parë trendin e rasteve zgjedhore të dy viteve të fundit, edhe më pak të rinj do votojnë, duke i ndëshkuar rëndë forcat opozitare, duke i çuar ato rrjedhimisht drejt shuarjes përfundimtare.
Rinia shqiptare është pëlhurë e re, e bukur dhe vitale e nuk meriton e as pranon arna të vjetra. E për më tepër nuk ka nevojë për parti politike të sigurojë jetesën dhe të ardhmen, siç janë mashtruar brezat e mëparshëm me premtime pune e karriere. Rinia mund të shkëlqejë vetë në çdo fushë e kudo, duke ndikuar në zhvillimin e vendit përmes sipërmarrjes private, nismave teknologjike, etj, por për angazhimin e saj kombëtar ajo kërkon një kauzë fisnike, ide progresiste, një platformë transformuese, që t’i përkushtohet e të investohet me të gjithë zemër, dhe dihet mirë se askush nuk i bën dot ballë zemrave rinore.
Shumë gishta janë drejtuar ndaj të rinjve dhe 66% të shqiptarëve që nuk votuan. Fajtorët janë vetëm ata që drejtojnë gishtat sepse nuk ngjallën e as ndezën dashurinë e një kombi, ndaj bëjnë mirë t’i drejtojnë për nga vetja. Shqiptarët nuk janë dele. Cilido që i etiketon si të tillë është vet ujk i maskuar me lëkurë dele.