Opozita proteston sërish këtë të enjte. Ish-deputetët demokratë i janë bashkuar simpatizantëve të Partisë Demokratike të cilët pasi nuk janë lejuar të kalojnë përmes pedonales, kanë ndryshuar rrugën.

Ndërkohë që ajo që vihet re është mungesa e kryedemokratit Basha i cili nuk ndodhet ditën e sotme në Shqipëri. 

Kjo është protesta e parë e opozitës e cila zhvillohet pa liderin demokrat dhe për pasojë ka ndryshuar edhe itineriari i saj. Në protestat e mëparshme protestuesit janë mbledhur përpara kryesisë së PD-së për t'u nisur drejt Kuvendit dhe Kryeministrisë, ndërkohë që sot mbledhja e turmës ka nisur nga sheshi "Skëndërbej".

Kreu i Partisë Demokratike ka qenë mbrëmjen e së mërkurës në Bruksel dhe nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm apo jo në protestë, pasi ende nuk ka një orar zyrtar se kur do të rikthehet në kryeqytetin shqiptar nga takimet që zhvilloi me pasuesen e Merkelit dhe David McAllister. Ndërkohë, ai duhet të paraqitet sot edhe në Prokurorinë e Tiranës, i thirrur për çështjen e lobimit në SHBA.