Mbahet sot protesta e radhës nga opozita, para bashkisë së Tiranës. Ashtu si edhe në herët e kaluara, protesta është parashikuar që të nisë në orën 11:00.
Kujtojmë se prej kohësh opozita, por dhe përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit protestojnë para bashkinë, në shenjë kundërshtie pas arrestimeve për dosjen 5D, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.
Ndërkohë, thuajse në të gjitha protestat ka pasur përplasje mes policisë dhe protestuesve. Ndërsa këta të fundit kanë hedhur dhe flakadanë dhe molotov në drejtim të bashkisë.
Nënkryetari demokrat i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, përmes një postimi në rrjetet sociale, iu ka drejtuar një thirrje qytetarëve të kryeqytetit t’i bashkohen protestës së thirrur nga opozita ditën e enjte, ora 11:00 para godinës së Bashkisë.
Teliti shprehet se Tirana nuk fal betonizimin korruptiv dhe klientelist, nuk fal as 132 mln eurot për inceneratorin që nuk ekziston, nuk fal as 30 mln euro që gllabëroi 5D, sikundër nuk fal as taksat e tarifat që përdoren për 3-fishimin e administratës të mbushur me patronazhistë.
REAGIMI:
“Beton Veliaj”, Tirana as nuk ta fal e as nuk tërhiqet!
Tirana nuk ta fal betonizimin korruptiv dhe klientelist që i ka marrë frymën kryeqytetit!
Tirana nuk ti fal 132 milionë euro që i ke dhënë inceneratorit që nuk ekziston!
Tirana nuk ti fal 30 milionë euro që gllabëroi 5D-ja!
Tirana nuk ta fal mungesën e cerdheve, kopshteve e shkollave, ndonëse taksat e rritura disafish i ka paguar kokërr më kokërr!
Tirana nuk ta fal që taksat e tarifat i ke cuar për trefishim administrate, të mbushur plot me patronazhistë!
Tirana nuk ta fal që kryeqyteti ynë të renditet i fundit në Europë dhe Ballkan për cilësinë e jetesës!
Kjo që ke bërë në Tiranë dhe me Tiranën është sa mizore po aq edhe antiligjore! Tirana nuk tërhiqet! Ndaj nesër, të bashkuar para Bashkisë Tiranë, në orën 11.00, të protestojmë deri në largimin e shefit politik të betonit, 5D-së & inceneratorit fantazëm!