Si çdo vit tjetër, edhe këtë 31 mars shumë vende të botës mes të cilëve edhe vendi ynë iu bashkuan iniciativës “Ora e Tokës” (Earth Hour), një nismë kjo që konsiston në fikjen e dritave dhe pajisjeve elektrike të panevojshme për të paktën një orë, nga 20.30 deri në 21.30. I gjithë globi, duke nisur nga Australia e deri në Kaliforni, uli çelësat duke shënuar kështu aksionin më masiv mjedisor në historinë e njerëzimit.

“Ora e Tokës” ka marrë këtë emër sepse secili nga ne përmes një veprimi simbolik dhe sensibilizues i kushton një rëndësi të veçantë shtëpisë sonë të përbashkët, planetit Tokë. Kjo iniciativë e WWF-së, Fondit Ndërkombëtar për Natyrën, u zbatua për herë të parë në vitin 2007 nga popullsia e Sidneit, Australi, ku rreth 2.2 milion banorë të këtij qyteti fikën dritat dhe pajisjet elektrike të panevojshme.

Duke ndjekur nismën e Sidneit në vitet në vazhdim shumë shtete e qytete të tjera ju bashkuan “Orës së Tokës”, e cila ka për qëllim të ndërgjegjësojë njerëzit anembanë globit sesa të nevojshme janë veprimet tona për të ndalur ndryshimet klimaterike të globit.

Fikja e dritave për një orë nuk ka vetëm funksionin e kursimit të energjisë, por në të njëjtën kohë synohet që njerëzit anembanë globit të mësojnë të mos abuzojnë me natyrën dhe burimet e saj. Vendi ynë i është bashkuar kësaj nisme botërore që nga viti 2009. Llogaritet se inisiativës së këtij viti i janë bashkuar rreth 2 miliardë njerëz.

Në muajin shkurt të këtij viti u prezantua një fushatë publicitare  “I Will If You Will” e cila u publikua në rrjetet sociale si Facebook apo Twitter. Qëllimi i organizatorëve të kësaj iniciative ishte ndërgjegjësimi i komunitetit dixhital në mbarë botën për të marrë përgjegjësi për veprimet e gjithsecilit në dëm të mjedisit.

Në të njëjtën kohë iu bë apel përdoruesve të rrjeteve sociale për ta shpërndarë edhe tek miqtë e tyre këtë fushatë publicitare në mënyrë që sa më shumë njerëz në mbarë botën t’i bashkohen kësaj iniciative. Ndërkohë që vit pas viti më shumë shtete e qytete po i bashkohen “Orës së tokës”, kjo është një dëshmi se njerëzve u intereson kjo çështje.

Ndryshimet klimaterike janë bërë tashmë të prekshme nga kushdo dhe po kushtëzojnë jetesën e të gjithë popullsisë së globit. Fikja e dritave dhe pajisjeve të panevojshme për një ore është një thirrje për të mos abuzuar me burimet natyrore si uji, toka, pyjet etj. 

Në vitin 2011, kur iniciativa “Earth Hour” arriti në përvjetorin e saj të pestë 5.251 qytete e qyteza dhe 135 vende nga të shtatë kontinentet ju bashkuan asaj. Për t’u vlerësuar ishte fakti se dhe destinacione mjaft të rëndësishme turistike botërore si Qyteti i Ndaluar, Kulla Eiffel, Pallati Mbretëror në Angli, Koloseu, Opera e Sidneit etj ulën çelësat e dritave. 

TOKA 

Si po ndryshon me shpejtësi planeti ynë

Edhe për sa kohë planeti ynë, Toka, do të vazhdojë të ruajë pamjen që ka sot? Prej vitesh shkencëtarët që merren me studimin e mjedisit kanë vënë alarmin se ndryshimet klimaterike po japin një impakt mjaft negativ mbi planetin tonë. Studimet shkencore mbi ngrohjen globale tregojnë se ky problem bëhet gjithnjë e më shqetësues nga dita në ditë. Niveli i dioksidit të karbonit në atmosferë në ditët e sotme është rreth 30% më i lartë se sa ka qenë përpara evoluimit të industrisë. Duke iu referuar statistikave, planeti ynë nuk ka përjetuar asnjëherë më parë një rritje kaq galopante të niveleve të dioksidit të karbonit. Ajo që të bën më shumë përshtypje është shpejtësia me të cilën niveli i CO2 është rritur. Rritja e emetimit të gazrave të dëmshëm në atmosferë ka vënë në alarm vendet e ndryshme, 187 nga të cilat në nëntor të vitit 2009 nënshkruan protokollin e Kiotos, që konsiston në reduktimin e emetimit të gazrave të dëmshme në atmosferë nga vendet industrialisht të zhvilluara. Një pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimaterike që po prekin planetin tonë është ngrohja globale. Që në fillim të shekullit XX, temperatura e sipërfaqes së tokës është rritur rreth 1.1 °F (0.6 °C). Gjatë 40 viteve të fundit temperatura është rritur rreth 0.5 °F (0.2-0.3 °C) dhe sipas shkencëtarëve rritja e temperaturave do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme. Pasojë e ngrohjes globale është shkrirja e masiveve akullnajore në polin e veriut dhe atë të jugut. Studiuesit që merren me vëzhgimin e Groenlandës dhe Antarktidës raportojnë gjithnjë e më shumë shkëputjen e ajsbergëve gjigantë, ndërkohë që akujt në polin e veriut kanë humbur rreth 40% të trashësisë së tyre gjatë 4 dekadave të fundit. Shkrirja e akullnajave ka bërë që niveli global i detrave të rritet pothuajse 3 herë më shpejt në krahasim me 3000 vitet e fundit. Ndërsa shkencëtarët vënë alarmin për ndryshimet e mëdha klimaterike që po kërcënojnë planetin tonë ata konsiderojnë veprimtarinë njerëzore fajtor kryesor për ngrohjen globale. Shtimi i emetimeve të gazrave në atmosferë ka bërë që smogu të mbulojë pjesën më të madhe të metropoleve në mbarë botën. Prerja pa kriter e pyjeve, reduktimi i sipërfaqeve të gjelbra, prishja e habitatit natyror të kafshëve të egra, që po çon në reduktimin e ndjeshëm të këtyre të fundit dhe rrezikun për zhdukjen përfundimtare të shumë specieve, janë të gjitha pasoja të veprimtarisë njerëzore mbi natyrën dhe mjedisin në përgjithësi. Përmbytjet katastrofike dhe fatkeqësitë natyrore të viteve të fundit për të cilat jemi dëshmitarë të gjithë ne, janë një kambanë alarmi për njerëzimin dhe për qeveritë e vendeve të ndryshme për të ndërmarrë masa konkrete para se të jetë shumë vonë. Apokalipset e përshkruara në filmat hollivudiane nuk do të jenë më vetëm “fiction”, por një realitet me të cilin planeti ynë mund të përballet së shpejti nëse ndryshimet klimaterike dhe ngrohja globale do të vazhdojnë po me këto ritme.       

NGROHJA GLOBALE

Rreziku nga shkrirja e akullnajave

Deri në 2050-tën, temperatura globale mund të rritet me 3 gradë celcius mbi nivelin e shekullit të kaluar. Një pjesë e madhe e akullit në zonat e ngrira prej shekujsh do të shkrijë duke rritur ndjeshëm nivelin e oqeaneve. Mjafton vetëm një rritje e vogël në gradë e temperaturave për të shkaktuar një katastrofë të përmasave gjigande në planetin tonë. Në këtë përfundim ka arritur studimi i publikuar nga “Nature Geoscience”, i cili synon eksplorimin e një game më të gjerë parashikimesh për të ardhmen e planetit tonë dhe rrugëzgjidhjet për të parandaluar katastrofat që do të pasojnë ndryshimet e mëtejshme klimaterike. Shkrirja e akujve dhe ngritja e frikshme e nivelit të detrave vë në rrezik shumë qytete që janë ndërtuar pranë brigjeve të tyre. Për këtë arsye sipas “Nature Geoscience” qeveritë duhet të nisin nga puna për të hartuar projekte për mbrojtjen nga niveli i rritur i deteve, për të ruajtur kapacitetin e rezervave ujore e deri tek ruajtja e zonave te biodiversitetit. Ndërkohë shkencëtarët që studiojnë akullnajat në polin e veriut dhe në Antarktidë kanë bërë të ditur se kanë matur temperaturat në thellësi të blloqeve gjigante të akullit dhe kanë konstatuar se masivi gjigant i polit të jugut është shumë i ndjeshëm nga luhatjeve të vogla të temperaturës mesatare vjetore. Në rajonin e Detit Ross, platforma e akullt me përmasa të përafërta me sipërfaqen e Francës, është zvogëluar ndjeshëm duke i lënë hapësirë të madhe detit.

NASA

Fundi i botës në 2012? Ja argumentet 

21 dhjetori 2012 do të jetë dita e fundit e njerëzimit? Jo, thotë NASA. Më 21 dhjetor të këtij viti nuk do të ndodhë asgjë. Sipas Agjencisë Amerikane të Hapësirës nuk shihet asgjë ndryshe nga ajo që ndodh çdo vit. “Nuk ka asnjë provë shkencore se diçka do të ndodhë-  thotë Don Yeomans, astronom dhe drejtor i Near-Earth Object Program i NASA-s që merret me ndjekjen e objekteve afër tokës – asteroidet, ndikimi i të cilëve shkaktoi zhdukjen e dinosaurëve 65 milion vjet më parë nuk ka rrezik të ndodhë përsëri së shpejti”. Sipas asaj që deklaron Yeomans, Toka është aq shpesh subjekt i ndikimit të trupave qiellorë, por as një gjë e rrezikshme: "Nuk ka objekte të njohura që mund të paraqesin rrezikshmëri në tokë. Asnjë, zero, asgjë.” Disa argumentojnë se rrezik do të jetë një përafrim i veçantë i disa yjeve a planetëve. Lidhur me këtë të fundit, ato nuk përbëjnë ndonjë efekt në tokë: dielli dhe hëna ndikojnë në planetin tonë, por çdo shtrirje e pazakontë e planetëve në dhjetor (e cila rastësisht nuk pritet) nuk do të shkaktojë ndonjë gjë. Një problem më serioz mund të jenë stuhitë diellore, përmbytjet e grimcave te emetuara nga dielli që ndodhin çdo 11 vjet e që mund të dëmtojnë satelitët dhe linjat elektrike. Është thënë se superstuhia e fundit diellore ka ndodhur në vitin 1859, kur bota nuk u varej nga elektronika, dhe se një ngjarje e ngjashme sot do të ishte katastrofike. Nga të gjitha skenarët, fundi i botës mund të jetë i mundur të paktën nga ata me origjinë hapësinore, kjo e fundit është me pak gjasa. Por, nuk ka shenja se një mega-stuhi diellore po vjen këtë vit. Pak shqetësim dhe për përmbysjen e poleve magnetike të Tokës, e cila ndodh çdo 500 mijë vjet, dhe sidomos jo nga një ditë në një tjetër. Dhe nëse ndodh: mjafton vendosja në të kundërt e busullës, veriu bëhet jug dhe anasjelltas. Me pak fjalë, sipas astronomit të NASA, katastrofa e 2012 është e gjitha pseudoshkencë. Shkenca thotë se gjërat e vërtetë për t'u shqetësuar janë: ngrohja globale, cunami, por që nuk çojnë në përfundimin e botës më 21 dhjetor të vitit që sapo ka filluar.