Pas orës 22:00, mbrëmjen e së mërkurës hynë në fuqi masat kufizuese për lëvizjen e qytetarëve si dhe për mbylljen e restoranteve e bareve deri në orën 06:00 të mëngjesit në të gjithë vendin.
Karantina në natën e parë, ka gjetur zbatim pothuajse në të gjithë Durrësin. Nga një vëzhgim i bërë nga “DurrësLajm” pas nisjes së orës policore, rrugët e lokalet kanë qenë të boshatisura, ndërsa qetësia kishte kapluar qytetin.
Patrullimet e policisë ishin të vazhdueshme, me automjete në lëvizje dhe postoblloqe në hyrje dhe dalje të Durrësit.
Në lagjen nr. 1 kishte postbllok dhe u vu re prania e shumë efektivëve të policisë me uniformë dhe civilë përgjatë Vollgës. Policia ndalonte thuajnë çdo automjet, për të kontrolluar nëse ishin të lejuar për të lëvizur me dokumentacionin përkatës apo jo.
Ndëshkimet do të jenë ato që kanë qenë në fuqi, pra në rast se një qytetar do të kapet në shkelje do të gjobitet 10 mijë lekë, nëse ka përsëritje do i bllokohet automjeti deri burg në 6 muaj.
Gjithashtu edhe bizneset do të gjobiten me të njëjta masa që kanë qenë në fuqi në fillim të pandemisë kur Shqipëria u izolua e gjitha.
Çfarë duhet të dini:
-Ndalohet lëvizja e lirë e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00;
– Përjashtohen rastet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo të domosdoshme duhet të pajisen me autorizim në portalin e-Albania;
-Personeli i shëndetësisë dhe punonjësit e strukturave të shërbimeve kritike përjashtohen nga rregulli i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve përkatëse;
-Mbyllen nga ora 22:00 deri në orën 06:00, baret, restorantet, fast food-et dhe lokalet që ofrojnë shërbim për klientët.
-Përjashtohet nga rregulli shërbimi në banesë (delivery), i cili duhet të kryhet duke respektuar rregullat higjienike të miratuara.
Policia e Shtetit do të ndëshkojë me masë administrative cilindo që do të konstatohet në shkelje të masave kufizuese që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.





