Nga Pëllumb Nako
Për një djalë të ri të rrethinave të Tiranës, orari policor i ndalimit të qarkullimit për arsye të epidemisë së COVID-19 u transformua në tragjedi, në të cilën ai humbi jetën. Janë organet e drejtësisë, ato të cilat do të japin verdiktin dhe do të zbardhin të vërtetën lidhur me ngjarjen në fjalë, por ndërkohë tashmë për viktimën dhe autorin e saj ka filluar gjyqi publik.
Në media serviren informacione të shumëllojshme të marra këtu e aty nga burime konfidenciale. Në to flitet për rrethanat në të cilat u krye vrasja, flitet për të kaluarën dhe “cenet” e viktimës, si dhe për një armë të gjetur nga Policia disa metra larg trupit të viktimës. Po ashtu, në media thuhet se viktima po vraponte, sepse nuk iu bind patrullës për shkak të shkeljes së orës policore dhe se për arsye të errësirës së plotë, polici e qëlloi dy herë djaloshin. Atij iu duk sikur në vrap e sipër viktima kishte diçka të hekurt në dorë dhe që punonjësi i Policisë e mori për armë, ndaj dhe për vetëmbrojte e qëlloi të riun, duke e lënë në vend të vdekur. Po ashtu, thuhet se Prokuroria mori masën e arrestit për autorin e vrasjes.
Ndërkohë, pas gjithë këtyre të dhënave, në një kohë mjaftueshmërisht të bollshme, publiku i gjerë ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga organet e ligjit dhe më konkretisht nga ato të Prokurorisë. Duhet të jetë pikërisht ky organ, i cili duhet të bëjë publike të vërtetat që dihen deri në këtë moment, sepse pikërisht është prokurori ai që drejton hetimin dhe ai e di se çfarë duhet të thotë dhe çfarë jo. Për më tepër, që në këtë rast Policia e Shtetit moralisht ndodhet në një konflikt interesi.
Pikërisht kjo mangësi, më së shumti e qëllimtë, mbetet problemi më i rëndë pas incidentit. Ngjarja nuk është e zakonshme. Ajo vë në pozitë të vështirë moralisht organin e Policisë së Shtetit, pavarësisht se përgjegjësia penale qëndron mbi vetë autorin e krimit. Çfarë duhet të ndodhë më tepër që publiku të qetësohet dhe të marrë vesh të vërtetën?
Të paktën, nëse thëniet e punonjësit të Policisë për të justifikuar përdorimin e armës, janë të vërteta, me plot përgjegjshmëri duhet menduar se është për të pasur frikë. Asgjë ligjërisht të qëndrueshme nuk ka në thëniet e tij, përveçse ca frazave shtampë të marra nga jurisprudenca e të përdorura rregullisht nga avokatët nëpër gjyqe, apo të mësuara me frymë të keqe në Akademinë e Policisë. Jurisprudenca e parashikon një rast të tillë, por jo në versionin e policit. Bëhet fjalë për një keqkuptim të mundshëm, por edhe ky jo kaq i paqartë sa në këtë rast, kur polici has në kërcënimin e dikujt që i afrohet dhe jo të dikujt që ia ka mbathur me të katërta.
Mungesa e daljes publike të organeve kompetente, me gjithë shqetësimin e madh që ngjalli krimi, nuk bën gjë tjetër veçse e relativizon vetë atë si një ngjarje kriminale e zakonshme, me të cilën këto organe kanë të bëjnë përditë. Por, incidenti nuk është për fat të keq i tillë, përkundrazi, orvatja për ta minimizuar është kriminale në përmasat e një vrasjeje shtetërore. Konceptimi si vrasje shtetërore nuk është i tepruar, sepse në rastin konkret drejtësia do të verë ballë për ballë shtetin dhe një viktime që ka shkaktuar i ngarkuari i tij, që për detyrë ka të kundërtën, mbrojtjen e qytetarit. Vrasja, pavarësisht përgjegjësisë individuale nuk është personale, por në emër të shtetit. Edhe kur ai është me profilin, sipas të cilit po e përbaltin disa media me orientim qeveritar.
Mungesa e një versioni zyrtar, nga ana tjetër krijon mundësi të artë që çështja të trajtohet gjerësisht në publik sipas një skenari që përsëri ka në sfond relativizmin e krimit duke furnizuar median në këtë rast me llojlloj informacionesh që askush nuk e di sesa të vërteta janë. Gazetarët në terren marrin të dhëna konfidenciale dhe me shpejtësi i bëjnë ato të pranishme nëpër median elektronike, por për vërtetësinë e tyre askush nuk del dot garant. Për më tepër, në të tilla raste mund të serviren qëllimisht edhe gjysmë të vërteta për të krijuar perceptim publik, sipas interesit të institucioneve të sigurisë, larg përgjegjësisë së tyre, për të relativizuar fajin moral.
Nga ana tjetër, edhe servirjet që i bëhen publikut në mediat televizive, ku kanale të ndryshme, me format më cilësore të propagandës, fillojnë dhe mbarojnë transmetimet e lajmeve duke i dhënë rëndësi kapitale profilit të viktimës si dikush me precedentë penalë, madje edhe me probleme të natyrës psikologjike, kanë nëntekstin e qartë se viktima nuk paska qenë një engjëll, megjithëse polici ka bërë gabim.
Në kohën që në media dhe në studiot televizive thuhen lloj-lloj interpretimesh të bazuara mbi të dhëna jo zyrtare, organet qeveritare marrin kohën e duhur edhe për të manipuluar ngjarjet edhe për ta orientuar hetimin sipas legjendimit të bërë publik. Ndër të tjera, secili prej nesh ka tashmë në dorë informacionin se pranë viktimës është gjetur një armë. Askush nuk e ka thënë zyrtarisht këtë fakt, por ndërkohë lajmi ka bërë tashmë vend në mendjen e njerëzve njëlloj si armët e dikurshme të gjetura nga sigurimi i shtetit nëpër kishat katolike në Veri. Dhe kur gjithçka të jetë puthitur mirë dhe relativizuar maksimalisht, do të jetë radhë e autoriteteve të larta të vendit që të dalin publikisht dhe t’i sulen fillimisht kazanit mediatik, zjarrin ku valon, të cilin e kanë ndezur dhe i kanë fryrë tashmë vetë. Pastaj do t’i sulen opozitës që bën politikë me të vdekurit dhe në fund do të thuhet se gjithçka është në dorën e organeve të hetimit të dala nga reforma e gjerë në drejtësi. Pra, jo vetëm relativizim, por ndoshta edhe përfitim.
Megjithatë, nëse i hidhet një sy këtyre viteve për të parë se si është menaxhuar dhe orientuar Policia e Shtetit në raport me ligjet e miratuara së fundmi, me përdorimin e forcës , të armëve, të gazrave lotsjellës, do të duket pastër se krimi i kryer nuk ka ardhur si rrufe në qiell të pastër. Aktualisht, Policia e Shtetit i ka shpëtuar gjykimit publik për faktin se ajo është përdorur gjerësisht në shërbim të interesave qeveritare me përfitim direkt dhe indirekt privat.
Në radhët e saj ushtrojnë detyrën militantë të shumtë eurosocialistë, të cilët për hir të së vërtetës nuk paragjykohen vetëm për këtë përkatësi që është normale, por për dëshirën e madhe që ata kanë të vihen në dispozicion dhe t’i shërbejnë klientelës politike me zell dhe në kurriz të ligjit duke treguar me shumicë teprim dhe tejkalim të kompetencave që iu jep ligji. Kur kujtohet tërbimi, me të cilin Policia u motivua për të ndërhyrë ndaj protestuesve në rastin e Teatrit Kombëtar e të tjera si ai, nuk është për t’u habitur që të tejkalohet kompetenca edhe në rastin e përdorimit të armës për të zbatuar ndalim-qarkullimin. Ndërkohë, në të njëjtin kontekst nuk duhet harruar as pa përmendur faktin se Policia e Shtetit aktualisht po haset edhe me fenomenin e përdorimit të lëndëve narkotike nga individë në përbërje të patrullave të saj , kryesisht natën dhe efekti i lëndëve narkotike dihet që e bën me te lehtë tërheqjen e këmbëzës së armës. /Panorama