Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka theksuar se bota perëndimore do të ndryshojë sapo presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ta marrë detyrën më 20 janar.

Në një intervistë për transmetuesin shtetëror të Hungarisë të premten, Orban ka thënë se: “bota po përballet me një kohë të rrezikshme”, duke theksuar problemet politike në Francë dhe Gjermani, si dhe situatën në Siri, – raporton AP.

Por ai shtoi se “ujëra më të qeta” e presin botën pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së ta marrë detyrën në janar, duke thënë se “do të ketë ndryshime në çështjet më të rëndësishme”.

“Sapo presidenti amerikan ta marrë detyrën, një kthesë do të ndodhë në të gjithë botën perëndimore. Do të ketë ndryshime në çështjet më të rëndësishme dhe këto do të arrijnë në kontinentin evropian. Dhe këto ndryshime do të jenë të mira për ne”, – ka thënë ai.