Avokati Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua nga 4 persona ditën e martë në zonën e Ish-bllokut vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.

Ai është në monitorim intensiv nga stafi mjekësor në reanimacion të Spitalit të Traumës, ku i bëhen ekzaminime herë pas here për të parë gjendjen e tij.

Gazetari Igli Çelmeta raporton se sipas burimeve nga spitali i Traumës do të pritet deri të hënën dhe nëse gjendja do të jetë e njëjtë siç po vijon dhe nuk do ketë përkeqësim, do të tentohet zgjimi, për ta nxjerrë nga intubimi.

Ndërkohë në Gjykatën e Tiranës mbahet seanca për autorë dhe organizatorin.

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për Dritan Nanon dhe Dorian Alian, organizatorin dhe njëri nga autorët e sulmit të avokatit Sokol Mëngjesi.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat plagosje e rëndë me dashje kryer ne bashkëpunim,  kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit po e kryer ne bashkëpunim.

Edhe për Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë arrest me burg në mungesë për të njëjtat akuza si Nano e Alia.