Pak ditë më parë në gjimnazin “16 Shtatori” Shijak, mësuesi Robert Simo organizoi një mësim tregues në lëndën e fizikës me temë “Trokitje në dyer që s’hapen”. Të pranishëm në këtë takim interesant dhe të dobishëm ishin mësuesit e fizikës të gjimnazeve të rrethit të Durrësit. Vlerësim i veçantë për këtë veprimtari, ishte pjesëmarrja e drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Durrësit, z. Filip Gjonçaj.
E gjithë veprimtaria u drejtua nga vetë nxënësit, ndërsa mësuesi ndërhynte vetëm në raste të veçanta. Drejtuese ishte Mbarsila Kadiu dhe Jona Isaku. Temën mbi gravitetin dhe gravitonet e drejtuan nxënësit Ensyel Kola, Romina Keçi, Fabiola Cani, Xhulio Kalleshi. Dyfishësinë e përbërjes së dritës, si valë dhe grimcë e trajtuan bukur Loreta Kalleshi dhe Brixhilda Domi. Inteligjenca si proces bio-fizik u trajtua nga nxënësit Alketa Metushi dhe Bora Çalliku. Viruset dhe pasojat e veprimtarisë së tyre në organizëm, u trajtua nga Ingrit Balla, ndërsa tema ”Syri dhe të parit” nga Brixhilda Domi. Pati një ndërthurje organike mes lëndës së fizikës, biologjisë, kimisë, historisë dhe gjeografisë, si diçka me mjaft interes, që i dha veprimtarisë gjallëri dhe një frymë të re, ku u shkrinë mes tyre kurioziteti me lezetin e demonstrimit dhe shpjegimit, sepse pyetjet dhe përgjigjet ndiqnin njëra-tjetrën. Ndoshta më e dobishme për mësuesit, përdorimi i dërrasës së zezë (pjesë e metodave tradicionale) kombinuar me vidieoprojektorin dhe element të pajisjeve elektronike të kohës. Është një temë mjaft e njohur dhe e rrahur në mjediset e bisedat e mësuesve, që ha shumë diskutim për të gjetur më të mirën dhe më të dobishmen në procesin e mësimdhënies. E thënë me pak fjalë: Mësues Berti tregoi se bëhet edhe kështu dhe ka rezultat. Secili le të zgjedhë.
Z. Filip Gjonçaj, drejtori i DRA, në fjalën e mbylljes së kësaj veprimtarie kaq të bukur, shprehu vlerësime të veçanta për mësues Bertin, duke thënë: “Veprimtari të tilla kërkojnë shumë punë, fantazi, por më shumë dashuri për profesionin dhe nxënësin. Më vjen mirë që kemi mësues kaq pasionantë e që nuk kursehen”. Në përfundim DAR, vlerësoi mësues Robertin duke i dhënë “Certifikatë Mirënjohje”, për veprimtarinë shumëvjeçare në zhvillimin e arsimit në shkollat e Durrësit.