DURRËS | BUTRINT | ELBASAN |

Një tabelë në qendër të Mauzoleumit të Dëshmorëve në Durrës të nxit për aventurë! Mes monumenteve të kulturës, tabela rekomandon edhe “Mozaikun e Orfeut”, por në rrugën “Ibrahim Bushiqi” që përshkon përmes lagjen numër 9, gjetja e tij nuk është një mision i thjeshtë.

Mozaiku gjendet në bodrumin e një banese përdhese dhe vizitorët nuk e shikojnë dot.

“Mozaiku ndodhet në bodrumin e shtëpisë, por nuk e shikon dot sepse pronarët nuk jetojnë këtu,” ta pret shkurt fqinja Ylvie Tirana.

Gruaja banon prej 30 vitesh në këtë rrugicë dhe e kujton mozaikun si një pllakë shumëngjyrëshe, por nuk kujton t’i ketë shpjeguar dikush rëndësinë apo subjektin e tij.

Aty shfaqet Orfeu, i rrethuar me motive bimore dhe gjeometrike. Sipas mitologjisë, ai ishte këngëtari, muzikanti dhe poeti më i famshëm i antikitetit.

Mozaiku i Orfeut mendohet se i përket shekujve në fillim të Erës së Re dhe gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë. Ai u zbulua në vitet’ 80, ndërsa pronarët e banesës po gërmonin për të zgjeruar shtëpinë.

Si dhjetëra mozaikë të tjerë të shpërndarë në të gjithë vendin, ai përballet me vështirësi për mirëmbajtjen, kushtet e konservimit dhe aksesin e vizitorëve.

Foto: Bodrumi i banesës në të cilën gjendet Mozaiku i Orfeut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

Referuar listës së monumenteve të publikuara nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në vend numërohen 19 mozaikë, disa prej të cilëve janë pjesë e komplekseve të objekteve të kultit, si bazilikat.

Qarku i Durrësit ka numrin më të madh, prej 6 mozaikësh, e ndjekur nga Qarku Korçë me 4 mozaikë, Vlora me 3 mozaikë, Fieri dhe Elbasani me 2 mozaikë secili dhe Shkodra e Tirana me nga 1 mozaik.

Mozaikët e kyçur

Zbulimi i mozaikëve në qytetet me ndërtime të dendura si në rastin e Durrësit ka krijuar një ngërç midis pronarëve që zotërojnë godinat dhe institucioneve të kulturës, që kanë detyrimin për t’i mirëmbajtur.

“Këshilli Bashkiak me vendim duhet ta shpronësojë dhe ta hapë për interesa publike,” sugjeron prerazi për Mozaikun e Orfeut, restauratori durrsak Qazim Kërtusha.

Ai rrëfen se ka pasur tentativa ndër vite nga institucionet për ta shpronësuar familjen, por kanë rezultuar të pasuksesshme. E shitur disa herë, banesa aktualisht është në pronësi të një familjeje e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishin të paarritshëm për koment nga Media Amfora.

Restauratori Agron Islami, i cili ka përgatitur dosjen për shpalljen monument kulture thotë se Mozaiku i Orfeut nuk njihet plotësisht.

“Mozaiku i Orfeut është një nga mozaikët më të bukur në Shqipëri”, thotë Islami, veteran i restaurimit të mozaikëve. “Duhet mbaruar gërmimi njëherë sepse ai nuk është gërmuar i gjithi, pastaj mund të pretendojmë që ta zhvendosim”, shtoi ai.

Foto: Restauratori Agron Islami, duke folur në Bazilikën Paleokristiane Extra-muros në Elbasan. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Sipas Islamit, numri i mozaikëve që flenë nëntokë janë shumëfish i atyre që janë zbuluar. Ai llogarit se mund të jenë rreth 4-5 mijë sipërfaqe të shtruara me mozaikë në të gjithë vendin, 1 mijë prej të cilave gjenden vetëm në Bylis.

IKTK shpjegoi se nuk kishte informacione për statusin e pronësisë së monumenteve. “Pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore nuk administrohet informacion zyrtar lidhur me dokumentacionet e pronësisë së pasurive kulturore,” tha IKTK në një përgjigje me shkrim.

Jo të gjithë mozaikët e zbuluar në ambientet private apo gjatë ndërtimit të pallateve e gëzojnë statusin e mbrojtjes.

“Mozaiku me rozetë”, me tesera shumëngjyrëshe dhe me motive floreale u zbulua gjatë një ndërtimi pas vitit 2005 në lagjen numër 6 të Durrësit dhe sipas IKTK, nuk është pjesë e trashëgimisë kulturore.

Nëntoka e Durrësit numëron sot të paktën 8 mozaikë që janë të shpërndarë në të gjithë qytetin, gjashtë prej të cilëve gëzojnë statusin e monumentit të kulturës.

Sfidat e restaurimit

“Po të gërmohet në Durrës, që nga ish-markata e vjetër e deri poshtë, ka shumë ndërtesa të dekoruara me dysheme të shtruara me mozaikë”, sugjeron restauratori Qazim Kërtusha. Por teksa potenciali i zbulimeve arkeologjike është i lartë, sfidat e mirëmbajtjes duken po aq të larta.

Baptisteri i Butrintit i përket periudhës paleokristiane dhe përbëhet nga salla e pagëzimit dhe një sallë ndihmëse në veri të saj. Të dy ambientet janë të shtruara me mozaik, por ato nuk janë të vizitueshme për publikun me qëllim ruajtjen e tyre nga kushtet atmosferike.

Mozaikët në 2 ambientet e Baptisterit të Butrintit, Sarandë, janë mbuluar me rërë dhe elementë mbrojtës. Foto: Geri Emiri/ Media

“Janë të mirëmbajtur, por në kushte jo të vizitueshme”, analizon restauratori Agron Islami situatën e mozaikëve në vend. “Sepse akoma nuk kemi një mundësi mbrojtjeje”, shton ai për Median Amfora.

“Ajo që kemi bërë ne është për t’i zgjatur jetën dhe për ta ruajtur në atë gjendje që ka dalë që nga gërmimi”, tregon Islami për ndërhyrjet me qëllim ruajtjen e mozaikëve nga kushtet atmosferike.

Shumë mozaikë në vend, si: “Mozaikët e Bazilikës Paleokristiane të Linit, në Pogradec”, “Bazilika Paleokristiane Extra-muros në Elbasan” apo “Bazilika e Shën Mëhillit në fshatin Arapaj, Durrës”, gjenden të mbuluara për t’i ruajtur nga kushtet atmosferike dhe në mungesë të ndërhyrjeve që mundësojnë vizitimin e tyre në vend.

Foto: Bazilika e Shën Mëhillit në fshatin Arapaj, Durrës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, mbuluar me rërë dhe elementë mbrojtës. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

“Mozaikët mbahen të mbuluar me rërë për arsye konservimi, me plastmasë ose me tekstil asfalti dhe hapen një herë në vit për turistët ose për të monitoruar gjendjen e tyre”, shpjegon restauratori nga Durrësi, Qazim Kërtusha.

Sipas IKTK-së, burimi i financimit për restaurimin e mozaikëve sigurohet nga buxheti i shtetit dhe nga palët e treta, ndërkohë që pranë këtij institucioni ndodhet edhe laboratori për restaurimin e veprave të artit.

“Dikur kemi qenë më shumë specialistë, kurse tani ka mbetur vetëm 1 sepse edhe unë kam dalë në pension. Tani është vetëm 1 djalë, megjithatë ka edhe restauratorë ndihmës që e kryejnë shumë mirë funksionin mirëmbajtës”, shtoi Islami.

Ai veçon rastin e mozaikut mural në Kapelën e Amfiteatrit në Durrës, i cili është i vetmi i llojit mural në Shqipëri. Sipas tij, ai pëson dëmtime në periudhat me shumë lagështi dhe mund të mbulohet nga një shtresë jeshile, si pasojë e grumbullimit të myshqeve dhe algave.

“Vetëm ndryshimi i temperaturave sjell ngrirje, shkrirje të sipërfaqeve të mozaikut. Të paktën një herë në dy vjet kërkohet ndërhyrja e domosdoshme te çdo mozaik, për ndërrimin e rërës, ndërrimin e gjeotekstilit apo të plastmasit, duhet vazhdimisht mirëmbajtje”, analizon Islami.

Në përgjigje të një kërkese për informacion, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) na informoi se siti i këtij mozaiku paraqet nevojën për hartimin e një projekti ndërhyrjesh tërësore.

Foto: Mozaiku Mural në Kapelën e Amfiteatrit në Durrës. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

Disa qytetarë raportuan për gjendjen e mozaikëve në vend përmes platformës “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” të Medias Amfora, duke sjellë në vëmendje në mënyrë të përsëritur rastin e “Bazilikës Paleokristiane Extra-muros, në Elbasan” dhe “Mozaikut Mural në Kapelën e Amfiteatrit në Durrës”.

“Restauratori është si puna e mjekut që tek sëmundja që ka ndërhyn për t’i shtuar jetën mozaikut, nuk është se e bën të pavdekshëm. Mund të ankohemi pak për mungesë materialesh, por si profesionalitet jemi në të njëjtën linjë me restauratorët e huaj”, përmbledh Islami.

Specialistët e mozaikëve në vend sugjerojnë se zhvendosja e mozaikëve për t’u ekspozuar diku tjetër nuk është zgjidhja më e përshtatshme.

“Në botë sot kërkohet jo çmontimi, por lënia e tyre në vend. Shkulja është një llaf goje sepse mund ta dëmtosh apo ta transformosh objektin”, analizon Islami.

“Eksperienca botërore sugjeron se nuk ka vështirësi në heqjen e mozaikëve, madje cilësohet ndryshe si ‘heqje e tapetëve’”, analizon restauratori tjetër Qazim Kërtusha. “Tunizia e ka praktikuar si metodë, duke krijuar muzeun e mozaikëve”, rrëfen ai.

“Por është si zhdukja e provës së krimit, sepse t’i heq objektin dhe fshin vendodhjen që mund të ketë edhe më vlerë se vetë mozaiku”, përfundon Kërtusha./Amfora.al/