Një operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe asaj belge, çoi në pranga 18 persona një ditë më parë, mes të cilëve 12 shqiptarë dhe 6 të kombësive të tjera. Ky grup kriminal, ‘koka’ e të cilit është një 55-vjeçar shqiptar, u zbulua fillimisht gjatë hetimeve që Policia e Shtetit kryente për operacionin “Flakë në det” përgjatë verës së vitit të kaluar, në mënyrë rastësore nga përgjimet dhe hetimet e tjera pro aktive.

Policia shqiptare identifikoi autorët e veprimtarisë kriminale dhe pas verifikimeve rezultoi se asnjë prej tyre nuk ishte në Shqipëri. Pas një pune disa javore, 12 shqiptarët u lokalizuan në Antwerp dhe disa qytete të tjera belge. Të gjitha informacionet e mbledhura iu dërguan autoriteteve belge, të cilat rezultuan të vlefshme për hetimet.

Në Belgjikë, disa prej anëtarëve të grupit kriminal, 6 prej tyre, ishin në hetim prej vitit 2022 për trafik armësh me drejtues një 51-vjeçar shqiptar, por dosja u plotësua me të dhënat e dërguara atje nga autoritetet shqiptare për trafikun e kokainës që bëhej përmes detit për në portin e Antwerp. Nga hetimet rezulton se shqiptarët ishin të kujdesshëm në komunikime dhe bazë e takimeve për trafikun e drogës ishte një kafene në Antwerp ndërsa drejtues i madh i grupit është një 55-vjeçar shqiptar.

Sipas policisë, kjo organizatë kriminale trafikonte drogë dhe armë nga vende të Amerikës Latine drejt Belgjikës. Sasia e drogës, por edhe armët shpërndaheshin edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian, në bazë të kërkesave që organizata kishte.

Në kuadër të këtyre hetimeve, gjatë operacionit që finalizon fazën e parë të hetimeve, policia belge ushtroi kontrolle në 19 banesa dhe ambiente të tjera në qytetin e Antwerpit.