Donald Trump po i vijnë rrotull akuzat penale që i rrezikojnë postin e Presidentit. New York Times shkruan se Prokuroria e Manhatanit po përgatit akuza penale për dy drejtues të lartë të organizatës Trump, të përfshirë në rastin e dhënies së ryshfetit për aktoren e filmave pronografikë.

New York Times shkruan se prokurori Sajrus Vens po shqyrton mundësinë e ngritjes së akuzave ndaj dy zyrtarëve për shkelje të ligjit zgjedhor për mënyrën se si ia kanë dorëzuar paratë aktores Stefani Kliford. Megjithatë, burimet pranë Prokurorisë së Manhatanit thanë për të përditshmen prestigjoze se rasti është ende në shqyrtim.

Dyshohet se 130 mijë Dollarët që i janë dhënë aktores Stefani Kliford, janë akorduar nga fondet e Organizatës Trump që drejton bizneset e familjes së Donald Trump. Ish-avokati i tij Majkëll Kohen pranoi të martën para gjykatësve në Manhatan, se i kishte dhënë 130 mijë Dollarë aktores Stefani Kliford, në këmbim të heshtjes së saj për një aferë të fshehtë që ka pasur me Trump në 2006-ën. Zbulimi i këtij rasti mund të ndikonte negativisht në popullaritetin e kandidatit republikan gjatë fushatës presidenciale 2016.

Akuza e ngritur ndaj avokatit Kohen, përplasi presidentin Trump me prokurorin e përgjithshëm Jeff Sessions. Duke e konsideuar hetimin si abuziv, Trump akuzoi Sessions gjatë një interviste për Fox Neës se ka humbur kontrollin e Departamentit të Drejtësisë. Por Sessions u kundërpërgjigj se Departamenti i Drejtësisë funksionon normalisht dhe se nuk kishte ndërmend të ushtronte presion politik ndaj drejtësisë.