Organizatat e shoqërisë civile dhe të medias kanë dalë sot me një deklaratë për shtyp sa i takon ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal, që lidhen me dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët.
Të mbledhur përpara Kuvendit të Shqipërisë, pak para seancës plenare ku pritet të votohet paketa e ndryshimeve në Kodin Penal që lidhen me shpifjen, fyerjen dhe sigurinë e gazetarëve, Blerjana Bino u shpreh se megjithëse disa nga ndryshimet e parashikuara konsiderohen pozitive, drafti që pritet të miratohet sot nuk përmbush standardet e Bashkimit Evropian dhe as kërkesat e komunitetit të medias për garantimin e plotë të lirisë së shprehjes.
Deklarata e plotë nga Blerjana Bino, SCiDEV/SafeJournalists Network:
Si organizata të shoqërisë civile dhe të lirisë së medias, ne e kemi ndjekur këtë proces që prej fillimit dhe kemi kontribuar në mënyrë aktive në konsultimet publike, me një kërkesë të qartë dhe të qëndrueshme: dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes, në përputhje me standardet evropiane.
Dua të theksoj që në fillim se ne i njohim dhe i vlerësojmë hapat pozitivë të ndërmarrë deri tani. Veçanërisht, mirëpresim forcimin e mbrojtjes penale për gazetarët në rastet e dhunës dhe kërcënimeve serioze, përmes ndryshimeve në nenet 237 dhe 238 të Kodit Penal. Këto masa adresojnë shqetësime të kahershme dhe përmbushin detyrimet pozitive të shtetit për të garantuar një mjedis të sigurt për ushtrimin e lirisë së shprehjes.
Megjithatë, sot duhet të jemi shumë të qartë: teksti që pritet të votohet nuk e realizon dekriminalizimin e plotë.
Ai parashikon një përjashtim të kufizuar dhe të bazuar në status, vetëm për gazetarë të përshkruar si “të regjistruar dhe të njohur”, vetëm për veprën e shpifjes, ndërkohë që fyerja mbetet vepër penale. Kjo qasje është problematike për disa arsye themelore.
Së pari, qasjet e pjesshme dhe të bazuara në status nuk janë në përputhje me standardet evropiane. Liria e shprehjes mbrohet për shkak të funksionit që shërben – interesit publik dhe mirëbesimit – dhe jo për shkak të statusit profesional të folësit.
Së dyti, Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem regjistrimi të gazetarëve. Çdo referencë ndaj “gazetarëve të regjistruar dhe të njohur” krijon pasiguri juridike dhe rrezikon të hapë rrugën për mekanizma kontrolli mbi gazetarinë, në kundërshtim me parimet themelore të lirisë dhe pavarësisë së medias.
Së treti, ky formulim përjashton aktorë të tjerë të rëndësishëm të interesit publik: organizata të shoqërisë civile, aktivistë, studiues, sinjalizues dhe qytetarë, të cilët luajnë një rol thelbësor në debatin demokratik dhe shpesh përballen me presione ligjore që kanë efekt frenues mbi shprehjen e lirë.
Së fundi, mbajtja në fuqi e veprave penale paralele, si fyerja, minon efektivitetin e çdo dekriminalizimi të pjesshëm dhe ruan presionin e së drejtës penale mbi fjalën e lirë.
Dua të theksoj qartë se këto shqetësime nuk janë vetëm të shoqërisë civile shqiptare.
Deklarata jonë e përbashkët është mbështetur nga disa prej organizatave dhe rrjeteve më të mëdha evropiane dhe ndërkombëtare për lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut, përfshirë Rrjetin SafeJournalists, partnerët e Media Freedom Rapid Response, Reporterët pa Kufij (RSF), si dhe organizata si ECPMF, Federata Evropiane e Gazetarëve, ARTICLE 19 Europe, OBCT dhe International Press Institute.
Ky është një mesazh i qartë: dekriminalizimi i pjesshëm nuk mjafton dhe nuk përmbush standardet që Shqipëria ka marrë përsipër në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën kohë, ne theksojmë se reforma e Kodit Penal, ndonëse e rëndësishme, nuk mund të zgjidhë e vetme sfidat më të gjera strukturore që ndikojnë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri. Presioni politik mbi median, cenueshmëria ekonomike e mediave, qasja e kufizuar në informacionin publik, praktikat e pabarabarta dhe jo transparente rregullatore, dobësitë në vetërregullim dhe në integritetin profesional të medias, si dhe çështjet e vazhdueshme që lidhen me sigurinë e gazetarëve, kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse dhe sistemike.
Për këtë arsye, dekriminalizimi i shpifjes duhet të jetë pjesë e një agjende më të gjerë reformuese, e orientuar drejt forcimit të llogaridhënies demokratike, garantimit të pluralizmit mediatik dhe krijimit të një mjedisi realisht mundësues për gazetarinë e lirë dhe në interes publik, në përputhje me standardet dhe angazhimet evropiane të Shqipërisë.
Sot, përpara këtij votimi të rëndësishëm, ne i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të përmbyllë këtë reformë në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme, duke:
- dekriminalizuar plotësisht shpifjen dhe fyerjen,
- garantuar mbrojtje të barabartë për të gjithë folësit në interes publik,
- dhe duke e lidhur mbrojtjen ligjore me funksionin e shprehjes dhe mirëbesimin, jo me statusin profesional.
Kjo nuk është vetëm një çështje teknike ligjore. Është një test i angazhimit demokratik të Shqipërisë, i respektimit të lirisë së shprehjes dhe i seriozitetit të saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian.





