Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në vendin tonë kanë protestuar para godinës së Ministrisë së Arsimit lidhur me skandalet seksuale të publikuar në media.

Përfaqësuesit e OSHC-ve, kërkuan dorëheqjen e Ministres Besa Shahini, pasi heshtja dhe mosreagimi i saj përbën një akt pranimi të këtyre ngjarjeve, sipas tyre.

REAGIMI I PLOTË

Organizatat e shoqërisë civile që çdo ditë punojnë në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, protestuan përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit.
Ngjarjet në rritje të dhunës seksuale e fizike që po raportohen shumë shpesh nga mediat dhe emisionet investigative në Shqipëri, e kanë kthyer këtë MASR, në një institucion që duhet të marrë përgjegjësi urgjente.

Përfaqësuesit e OSHC-ve, kërkuan ndër të tjera edhe dorëheqjen e Ministres së Arsimit Besa Shahini, pasi heshtja dhe mosreagimi i saj përbën një akt pranimi të këtyre ngjarjeve. Drejtori Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, ju drejtua institucionit më të lartëmenaxhues të arsimit në Shqipëri, duke kërkuar: “Një proces të gjerë, urgjent dhe gjithëpërfshirës të vlerësimit psikologjik të mësuesve, edukatorëve dhe çdo personi tjetër që ka kontakt me fëmijët në mjediset e institucioneve arsimore publike në vend”. Protestuesit kërkuan nga Ministria e Arsimit;

• Heqjen e liçensave dhe moslejimin e tyre në ushtrimin e profesionit të mësimdhënies për gjithë jetën për çdo mësues, edukator dhe person ndihmës që ushtron dhunë të vërtetuar ndaj fëmijjëve;

• Pezullim nga puna e të gjithë mësuesve, edukatorëve e punonjësve të tjerë që kanë kontakt me fëmijët, dhe që janë në dijeni të dhunës së ushtruar e nuk e denoncojnë atë.Mosdenoncimi i dhunës është KRIM!

• Ngritjen e mekanizmave të raportimit mbi dhunën në mjediset e shkollave, kopshteve e çerdheve, dhe ndërgjegjësimi i punonjësve të arsimit për këto mekanizma;

• Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të hartojë urgjentisht Kodin e Sjelljes/ Etikës me Fëmijët.Të gjithë punonjësit e arsimit në Shqipëri, që janë në kontakt me fëmijët, të firmosin këtë Kod e bashkangjitur me kontratën e punës.

Vetëm disa ditë më parë, publiku shqiptar u njoh nëpërmjet një emisioni investigative, me dy forma të dhunës seksuale dhe fizike që ushtrojnë mësuesit dhe edukatorët ndaj fëmijëve dhe nxënësve në institucionet arsimore.