27 tetor 2015 – Hetimet kanë nxjerrë në pah se trafiku i drogës kishte organizatorë 2 biznesmenë të fushës së ndërtimit. Kështu policia ka hedhur dritë mbi 4 personat e arrestuar deri tani në Shqipëri, në kuadër të operacionit “Poker”.
I katërti i arrestuar nga policia e Durrësit ditën e sotme për trafikun e 1 ton droge, është 25-vjeçari Bledar Osja, banues në Mabë, Lezhë. 25-vjecari është ngarkuesi i trajlerit që më pas u nis drejt portit, me porosi të dy biznesmenëve. Droga është ngarkuar në magazinat e firmës “Togu” shpk në Kurbin.
Pas arrestimit të personit të katërt për trafikimin e 1 ton droge dhe shpalljes në kërkim të dy biznesmenëve dhe një bashkëpunëtori në këtë trafik, burimet policore kanë zbardhur edhe rolin e gjithësecilit në këtë trafik të mirëorganizuar. Janë shpallur në kërkim policor e po punohet për kapjen e pronarit të firmës “Eni-D-Shpk” Ndoc Deda, 42 vjeç, banues në Shkodër, dhe pronarit të firmës “Togu-2014 Shpk” Faik Hasani, 43 vjeç, banues në Milot, Kurbin. Të dy binzesmenët janë në rolin e organizatorëve të trafikut në Shkodër, ndërsa si bashkëpunëtor është shpallur në kërkim edhe Kristian Brigja, 24 vjeç, banues në Baks–Rrjoll, Shkodër.
Të arrestuarit janë shoferi Ervin Pëllumbi, 36 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në njësinë administrative Nr. 11, Tiranë, pronari i trajlerit Albert Doku, 51 vjeç, banues në njësinë administrative Nr. 11, Tiranë, Gani Bushati, 55 vjeç, lindur dhe banues në Bushat, Shkodër, si dhe 25-vjeçari Bledar Osja. Secili prej tyre ka pasur rolin e tij në këtë trafik.
Ndërkohë, policia po vijon punën për dokumentimin e plotë të operacionit “Poker”, në sajë të të cilit u sekuestrua një sasi e madhe droge që kapte shifrat e mbi 1 milion eurove. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
/K.H. portali DurresLajm/





