Sot pranë ambjenteve të Fakultetit të Shkencave Politike Juridike në Kampusin Universitar Spitallë, Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Politike të Universitetit Côte D’Azur dhe me Departamentin e Komunikimit dhe Kërkimit Social të Universitetit Sapienza të Romës organizoi konferencën ndërkombëtare “Globalizimi dhe Ndërkombëtarizimi: Përfitimet dhe Sfidat e bashkëpunimit.”

Ky aktivitet shkencor është organizuar në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit dhe Diplomave të dyfishta që Departamenti Administrim Publik ka: Diplomë e dyfishtë në bachelor Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik me Universitetin Sapienza të Romës dhe Diplomë e dyfishtë me Universitetin C ôte D’Azur në Master i Shkencave në Administrim Publik.

Në fjalë përshëndetëse, Rektorja, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, theksoi që pesë diplomat e përbashkëta me universitete të rëndësishme europiane, janë një nga arritjet më të rëndësishme të Universitetit “A. Moisiu” dhe një mundësi e shkëlqyer kërkimore-shkencore si për stafin akademik ashtu dhe për të gjithë studentët që zgjedhin të jenë pjesë e tij.

Prof. Asoc. Dr. Andon Kume, Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike Juridike, në fjalën e tij nënvizoi se ky Fakultet është I pari në Shqipëri, por dhe në rajon që ofron diploma të dyfishta në të tre nivelet e studimeve, Bachelor, Master dhe Doktoraturë, me Universitetet e La Sapienza Romë, Universitetin Côte D’Azur Nice, Universita di Genova, Universita Tor Vergata Romë.

Konferencën e përshëndetën dhe Isabelle Thomas – Delic , Këshilltare për çështjet europiane dhe Prof. Marco Cilento , Drejtues i programit Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar. Ky I fundit vuri theksin në faktin që studentët shqiptar duke qëndruar, studiuar dhe më pas punësuar në Shqipëri, marrin një diplomë të një Universiteti European nga më të mirët në Evropë.

Në Konferencë u prezantuan mbi 60 punime shkencore me interest të lartë e u shkëmbyen mendime dhe eksperienca midis pjesmarrësve.

Çmime mirenjohjeje iu akorduan profesorëve të huaj që kanë kontribuar aktivisht për realizimin e arritjeve te FShPJ.