Dita Ndërkombëtare e Muzeve përfaqëson një moment unik për komunitetin muzeor. Me qëllim të shënimit të kësaj dite të rëndësishme, qendra “MuZEH Lab” në qytetin e Durrësit organizoi “Festivalin e Natës së Muzeve në Rrugicë”.

Ashtu si edhe themeluesja e qendrës, Dorina Xherai tregon se ky event synoi gjithëpërfshirjen e shoqërisë dhe ndërgjegjësimin për rolin që muzetë luajnë edhe në fusha si: muzika, kinematografia, moda apo frymëzimet e Ted Talks. 

“Sot është dita ndërkombëtare e muzeve, gjithë bota e feston në format nga më të ndryshmet. Në donim që të sillnim një formë tjetër të aktivizimit të qytetarëve dhe të dilnim nga klishetë e zakonshme sesi festohen netët në muze dhe pikërisht e sollëm muzeun brenda dhe jashtë ambienteve të qendrës tonë. Kemi një audiencë, duam një gjithëpërfshirje ne nuk kemi diskriminime moshe, as gjinie dhe jemi të hapur dhe kemi pritur brenda ambienteve tona mosha nga më të ndryshmet, komente nga më të ndryshmet që na kanë dhënë.

Ne duam të zgjojmë njerëzit së pari, t’i bëjmë ata të aktivizohen me trashëgiminë, muzetë, me kulturën, duam që të kuptojnë që muzetë nuk janë thjeshtë mjedise të vdekura, por ato gjallërojnë dhe kanë nevojë për audiencë, kanë nevojë për njerëz, kanë nevojë për artdashës që t’i vizitojnë dhe t’i mbështesin ata.”

Gjatë fjalës së saj, Xherai ka treguar se “MuZEH Lab” zgjodhi këtë formë të veçantë, të një nate mes miqsh në muzeun në rrugicë, për t’i afruar qytetarët durrsakë, pa dallim moshe apo gjinie, me trashëgiminë dhe kulturën shumë dimensionale. 

“MuZEHLab” është një qendër komunitare e pozicionuar në qytetin e Durrësit me qasje të bazuar tek muzetë. Kjo qendër është themeluar me misionin e përdorimit të muzeologjisë, trashëgimisë dhe kulturës si një mënyrë për edukimin e shoqërisë, avokimin për muzetë dhe krijimin e aktivizmit qytetar përmes krijimtarisë.