Policia ka arrestuar ditën e sotme administratorin e një lokali në Tiranë. Ai u arrestua nga forcat blu, pasi në lokalin e tij organizoheshin lojëra fati. Në kuadër të kësaj, policia ka sekuestruar një celular, i cili përdorej për këtë veprimtari të paligjshme. Policia po heton më shumë mbi rastin.
Njoftimi i policisë
Tiranë/ Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, për goditjen e rasteve të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Vihet në pranga administratori i një lokali ku organizoheshin lojëra fati. Sekuestrohet 1 celular.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar një rast i kësaj veprimtarie.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Z., 37 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, në rrugën “Kole Koçi”, organizoheshin lojëra fati. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një celular që u gjet në lokal, i cili përdorej për këtë veprimtari të paligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.





