Gjykata e Shkodrës ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” për dy të rinjtë, Klevin Thepi, 24 vjeç dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç. Dy adolehentët akuzohen si organizatorët kryesorë të një sherri, ngjarje e ndodhur ditë më parë pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka”, në qytetin e Shkodrës.
Në ngjarje u përfshinë 15 të rinj, të ndarë në dy grupe, kryesisht të moshës 17–18 vjeç. Konflikti mes adoleshentëve nisi me grushte dhe më pas u përshkallëzua me përdorimin e sendeve të forta, ndërsa gjatë përleshjes dyshohet se është përdorur edhe armë e ftohtë (thikë).
Si pasojë e dhunës, tre adoleshentë mbetën të plagosur lehtë dhe u transportuan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve, konflikti dyshohet se ka pasur zanafillë një përplasje të mëparshme mes nxënësve. 19-vjeçari, i identifikuar si Doronesto Kulla dyshohet se ka shkuar në ndihmë të vëllait të tij, një 17 vjeçari nxënës i shkollës “Shejnaze Juka” duke u përfshirë në përleshje së bashku me persona të tjerë.
Menjëherë pas ngjarjes, forcat e Policisë së Shkodrës dhe efektivët e njësisë “Shqiponja” ndërhynë në vendngjarje, duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe duke nisur hetimet. Fillimisht u arrestuan dy të rinjtë e dyshuar si organizatorë, Klevin Thepi dhe Doronesto Kulla. Ndërsa për pesë shtetas të mitur (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) u nis procedimi penal në gjendje të lirë.





